KreuOpinion dhe AnalizëSa seanca të GJKKO-së janë transmetuar nga telefonat e gazetarëve në 7...

Sa seanca të GJKKO-së janë transmetuar nga telefonat e gazetarëve në 7 vite?

Arben Llangozi

Prej disa ditësh po shohim një reagim të madh për vendimin e GJKKO-së lidhur me kufizimin e telefonave dhe pajisjeve elektronike në ambientet e gjykatës.
Gazetarë, shoqata, avokatë, deklarata, reagime, shqetësime për transparencën dhe lirinë e medias. Duke dëgjuar gjithë këtë zhurmë, dikush që nuk e njeh realitetin mund të mendojë se deri dje seancat e GJKKO-së transmetoheshin live nga telefonat e gazetarëve dhe sot papritur dikush ua mbylli kamerat.
Por GJKKO funksionon prej afro shtatë vitesh. Prandaj kam vetëm një pyetje: sa seanca kanë filmuar dhe transmetuar realisht gazetarët gjatë këtyre shtatë viteve me pajisjet e tyre elektronike, pa lejen e gjykatës? Sa minuta nga seancat e çështjeve më të rëndësishme janë parë nga publiku drejtpërdrejt falë telefonit të një gazetari?
Me sa dimë, praktikisht asnjë.Publiku ka parë kryesisht ato pamje, ato njoftime dhe ato materiale që vetë institucionet, SPAK apo GJKKO, kanë zgjedhur të përgatisin dhe të shpërndajnë. Pra transparenca, edhe kur telefoni ishte në xhepin e gazetarit, ka qenë një transparencë e kontrolluar, e filtruar dhe e administruar nga vetë institucioni.
Sot papritur telefoni është kthyer në simbolin e lirisë së medias. Deri dje mund ta kishe telefonin në xhep, por nuk mund të filmoje seancën pa autorizim. Nuk mund të transmetoje sipas dëshirës. Nuk mund të regjistroje çfarë të doje. Por me sa duket kjo nuk përbënte problem serioz për transparencën. Problemi filloi vetëm kur telefoni nuk lejohet më të mbahet aty ku mbahej më parë.
Është pak a shumë si të protestosh se të kanë marrë kamerën në një sallë ku prej shtatë vitesh nuk të kanë lënë të xhirosh. Kjo nuk do të thotë se vendimi i GJKKO-së nuk duhet diskutuar. Përkundrazi. Duhet parë baza ligjore, proporcionaliteti, qëllimi, mënyra e zbatimit dhe nëse krijon kufizime të panevojshme për median apo mbrojtjen.
Por ajo që më bën përshtypje është selektiviteti i revoltës.Ku ishin këto reagime kur gazetari mund të hynte me telefon, por nuk mund të transmetonte asnjë sekondë nga një seancë pa lejen e gjykatës? Ku ishte shqetësimi për transparencën kur informacioni që arrinte te publiku vinte kryesisht nëpërmjet materialeve të përgatitura nga vetë institucionet? Ku ishte debati për aksesin real të medias në proceset me interes të jashtëzakonshëm publik?
Nëse transparenca matet vetëm me faktin nëse telefoni është apo jo në xhep, atëherë kemi një koncept shumë të çuditshëm të transparencës.Prandaj kam përshtypjen se pas gjithë kësaj zhurme ka edhe diçka tjetër, përplasje institucionale, interesa profesionale dhe tensione të brendshme që sot janë paketuar bukur nën etiketën e “mbrojtjes së lirisë së medias”.
Sepse liria e medias nuk fillon te telefoni.Fillon te e drejta për të marrë informacion të pavarur, për të ndjekur procesin, për të raportuar pa filtra institucionalë dhe për t’ia përcjellë publikut atë që realisht ndodh.Nëse këto të drejta nuk i kemi diskutuar seriozisht për shtatë vjet, atëherë është pak vonë të zbulojmë sot se transparenca paska qenë e fshehur brenda një iPhone-i.
spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat