KreuAktualitetPolitikaKush po e mban në këmbë pushtetin e Veliajt?

Kush po e mban në këmbë pushtetin e Veliajt?

Erion Veliaj ndodhet në burg, por kjo nuk e ka penguar të vijojë të ushtrojë kompetencat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Nga qelia, kryebashkiaku po firmos vendime dhe po ndërhyn në strukturën drejtuese të institucionit që vazhdon ta drejtojë ligjërisht.

Lëvizjet e fundit në Bashkinë e Tiranës e kanë bërë edhe më të dukshme këtë situatë. Pas shkarkimit të Anuela Ristanit, ka dhënë dorëheqjen edhe Sekretari i Përgjithshëm, Eldi Hoxha, ndërsa në vend të tij Veliaj ka komanduar Alban Dokushin.

Pra, pavarësisht se ndodhet në qeli, Veliaj vazhdon të marrë vendime për administratën e Bashkisë së Tiranës.

Ajo që bie në sy është heshtja e Edi Ramës.

Kryeministri nuk ka dhënë një qëndrim publik për mënyrën se si po funksionon Bashkia e Tiranës me kryetarin e saj në burg. Nuk ka shpjeguar nëse e konsideron normale që Veliaj të vijojë të ushtrojë kompetencat nga qelia dhe as nëse PS-ja ka një qëndrim për këto zhvillime.

Kjo heshtje është në kontrast me qëndrimin e Ramës menjëherë pas arrestimit të Veliajt.

Në shkurt 2025, vetëm një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut, Rama shkoi në Bashkinë e Tiranës dhe zhvilloi takime me drejtuesit e saj. Lëvizja e tij u interpretua asokohe si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike në një situatë të jashtëzakonshme të krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut socialist.

Më pas, Rama deklaroi publikisht se nuk e drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Rasti i Veliajt ka marrë një dimension edhe më kompleks pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar çështjen e masës së sigurimit ndaj kryebashkiakut dhe ka konstatuar probleme në mënyrën e shqyrtimit të saj, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Vendimi kushtetues nuk do të thotë se Veliaj është shpallur i pafajshëm dhe as se procesi penal ndaj tij ka përfunduar. Por statusi i tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës ka mbetur në fuqi.

Pikërisht mbi këtë bazë, Veliaj vijon të pretendojë dhe të ushtrojë kompetencat e tij.

Por, mbetet një situatë e pazakontë për pushtetin vendor shqiptar. Kryetari i bashkisë është i privuar nga liria, ndërsa administrata e qytetit vazhdon të marrë vendime me firmën dhe urdhrat e tij.

Ndërkohë, Edi Rama nuk po jep asnjë shpjegim publik.

I njëjti kryeministër që pas arrestimit të Veliajt u shfaq në Bashkinë e Tiranës, sot nuk po prononcohet për faktin se kryetari i bashkisë po bën emërime dhe po ndryshon drejtues nga burgu.

Kjo nuk është thjesht çështje administrative.

Bëhet fjalë për Bashkinë më të madhe në vend, për një institucion që menaxhon fonde publike, shërbime, investime dhe një administratë të madhe. Prandaj heshtja politike e Ramës nuk mund të mos tërheqë vëmendjen.

Veliaj është në burg, por ende firmos. Rama është kryeministër, por hesht. Ndërsa Tirana vazhdon të drejtohet nga një zyrë që kryetari i saj nuk mund ta frekuentojë fizikisht.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat