Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e krijuar nga zjarret në Fier dhe Himarë, pas një nate të vështirë për banorët e këtyre zonave.
Përmes një reagimi, Rama ka bërë të ditur se aktualisht situata është nën kontroll dhe se nuk paraqitet rrezik për banorët apo zonat e banuara.
Sipas kryeministrit, strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret.
“Himara dhe Fieri kaluan një natë shumë të vështirë mbrëmë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara”, shkruan Rama.
Ai thekson se tashmë do të nisë edhe vlerësimi i dëmeve, ndërsa bashkitë do të identifikojnë rastet që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.
“Bashkia do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, shprehet kryeministri.
Ndërkohë, strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin në terren për të shmangur riaktivizimin e vatrave dhe për të garantuar sigurinë e zonave të banuara.



