Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një tjetër episod në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, që lidhet me një vilë në kompleksin luksoz “Green Coast” në Palasë dhe rolin e ish-futbollistit Igli Tare.
Sipas SPAK, Balluku dyshohet se ka pasur në pronësi faktike një vilë familjare në kompleksin “Green Coast”, konkretisht pasurinë e identifikuar si vila 2F nr.188/1. Prokuroria pretendon se kjo pasuri është mbajtur e fshehur dhe se për këtë qëllim janë kryer një sërë veprimesh që konsiderohen fiktive.
Në këtë skemë, sipas SPAK, është përfshirë edhe Igli Tare.
Kontrata 250 mijë euro
Prokuroria i referohet një kontrate sipërmarrjeje të datës 26 tetor 2020, me vlerë 250 mijë euro, e cila parashikonte investimin deri në ndërtimin e objektit në fazën e karabinasë.
Por, sipas hetimit, ndërtimi i mëtejshëm i vilës është marrë përsipër nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Kjo kompani ishte pjesë e bashkimit të operatorëve që fitoi tenderin për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
SPAK pretendon se punimet e kryera nga Abazi në vilë kishin një vlerë që varionte nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro.
Sipas prokurorisë, pikërisht këtu lidhet edhe dyshimi për përfitimin e parregullt të Ballukut. SPAK dyshon se investimet në vilë mund të kenë qenë përfitim i dhënë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në procedurën e tenderit.
Pse përmendet Igli Tare?
Roli i Igli Tares, sipas SPAK, nuk është kufizuar vetëm te faza e parë e transaksioneve.
Prokuroria pretendon se Balluku e ka përdorur Taren edhe në veprime të mëvonshme, me qëllim që të krijohej një dokumentacion që do të fshihte përfitimin e dyshuar dhe pronësinë faktike mbi vilën.
Sipas SPAK, prona është regjistruar në emër të Igli Tares përmes një kontrate shitjeje të datës 12 shtator 2025, të cilën prokuroria e konsideron fiktive.
Pra, sipas versionit të hetuesve, Tare është përdorur si person në emër të të cilit është formalizuar pasuria, ndërsa pronësia faktike dhe përfitimi nga vila dyshohet se i përkisnin një tjetër subjekti.



