Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Gazetarja Klodiana Lala, ka reaguar pas deklaratës së ish-drejtuese së SHISH, Vlora Hyseni, e cila iu drejtua gazetarëve në hyrje të SPAK, pasi u pyet për komunikimet e saj me Ergys Agasin.
“Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”, mësohet t’i ketë thënë Hyseni gazetares, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të saj.
Duke komentuar momentin në një lidhje live për News24, Lala tha se Hyseni kishte zgjedhur të kundërsulmonte gazetarët me akuza dhe gjuhë të rëndë.
“Ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve, duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme”, u shpreh Lala.
Gazetarja tha se mbetet për t’u sqaruar se cilave takime u referohej Hyseni.
“Se për cilat takime i referohet Vlora Hyseni mbetet për t’u sqaruar kur të dalë, por ishte një akuzë e fortë e lëshuar dhe një shantazh ndaj gazetarëve”, deklaroi Lala.
Ndërkohë, Vlora Hyseni është pezulluar nga detyra dhe ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi”, në kuadër të hetimit të SPAK.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Hysenin për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
Hetimi lidhet me dosjen ndaj Ergys Agasit, i cili akuzohet nga SPAK për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Hysenit masat e “pezullimit nga detyra” dhe “arrestit në shtëpi”.



