Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
A ka mbledhur SHISH informacion për gazetarë dhe a janë përdorur strukturat e inteligjencës për t’i survejuar ata?
Kjo është një nga pyetjet që ngrihet pas deklaratës së ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala në hyrje të GJKKO-së.
“Si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”, i tha Hyseni gazetares, pa dhënë shpjegime se nga e kishte këtë informacion.
Nëse bëhet fjalë për një informacion që ka qenë pjesë e punës së SHISH, atëherë çështja merr një tjetër përmasë. A është ndjekur, survejuar apo mbledhur informacion për gazetaren dhe për kontakte të tjera të saj?
Pyetja nuk lidhet vetëm me një gazetare. Nëse një institucion i inteligjencës ka pasur të dhëna mbi takimet, lëvizjet apo kontaktet e gazetarëve, atëherë duhet të sqarohet se përse janë mbledhur këto të dhëna dhe në çfarë kuadri ligjor.
SHISH ka për detyrë mbledhjen dhe përpunimin e informacionit për kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare. Çështja bëhet e ndjeshme nëse informacioni i mbledhur përfshin gazetarë apo burimet e tyre, pa qenë i lidhur me një kërcënim konkret ndaj sigurisë kombëtare.
Deri tani nuk është bërë publik ndonjë dokument që të provojë se SHISH ka përgjuar gazetarë. Por deklarata e ish-drejtoreshës së këtij institucioni ngre pikërisht pyetjen se nga buronte informacioni që ajo pretendonte se kishte për një gazetare.
Dhe kjo është një nga çështjet që mund të marrë përgjigje vetëm nëse hetimi i SPAK, zbardh se çfarë informacioni kishte në dispozicion SHISH, si ishte siguruar dhe kush kishte akses në të.
Nëse në dosje rezultojnë materiale të tjera që lidhen me gazetarë, kontaktet apo lëvizjet e tyre, atëherë pyetja për survejimin e medias nga strukturat e inteligjencës merr një tjetër peshë.
Deklarata e Vlora Hysenit ndaj Lalës/ Gazetarja: Ishte një akuzë e fortë



