Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Tenderi me fond limit rreth 4.6 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendra spitalore në vend është anuluar nga autoriteti kontraktor.
Procedura parashikonte ofrimin e shërbimit për 48 muaj në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Fondi limit ishte përcaktuar në 4 miliardë e 591 milionë lekë pa TVSH.
Në garë kishte marrë pjesë vetëm një kompani, Diaverum AB, e cila ishte shpallur fituese më 10 shtator 2026 me një ofertë prej 4 miliardë e 440 milionë e 664 mijë e 800 lekësh pa TVSH.
Por procedura nuk ka shkuar deri në lidhjen e kontratës. Sipas të dhënave të publikuara në sistemin Open Data të Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi është anuluar për shkak të “gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit”.
Procedura ishte hapur më 17 gusht, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 1 shtator. Pra, operatorët ekonomikë kishin vetëm 15 ditë në dispozicion për të paraqitur ofertat.
Në dokumentet e tenderit, autoriteti kontraktor e kishte argumentuar këtë afat me urgjencën për garantimin e vijimësisë së shërbimit të hemodializës, i cili cilësohet si shërbim shëndetësor esencial dhe jetik. Shkurtimi i afatit lidhej edhe me përfundimin e kontratës ekzistuese dhe kohën që nevojitej për zhvillimin e një procedure të re.
Anulimi i tenderit vjen në nisje të drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë nga ministrja e re Klodjana Spahiu. Pas anulimit, pritet që për ofrimin e shërbimit të hemodializës të zhvillohet një procedurë e re prokurimi, këtë herë pas konstatimit të problematikave në dokumentet e tenderit.
Procedura kishte tërhequr vëmendje edhe për faktin se në garë kishte vetëm një konkurrent. Tenderi ishte shënuar gjithashtu me “RedFlag” në analizën e të dhënave të prokurimit.
Ky shënim lidhet me rrethana që mund të sinjalizojnë një risk potencial në aspektin e pajtueshmërisë ligjore apo praktikave të prokurimit. Megjithatë, “RedFlag” nuk përbën në vetvete konstatim të një shkeljeje apo korrupsioni.



