Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-drejtorja e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, është liruar sot nga qelia, rreth dy muaj pas arrestimit për dyshimet mbi përvetësimin e parave të destinuara për pensionet.
Gjykata e Durrësit ka vendosur këtë të premte, 25 shtator, zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”. Vendimi është marrë pas kërkesës së Matajt dhe gjykata ka urdhëruar lirimin e saj të menjëhershëm nga paraburgimi, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.
Vendimi për lirimin e Matajt vjen vetëm pak ditë pasi bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, u emërua në një pozicion drejtues në Bashkinë e Durrësit. Ai u caktua përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane, pasi prej vitesh punonte në ndërmarrjen bashkiake.
Elisabeta Mataj u arrestua më 18 korrik, ndërsa më pas masa “arrest në burg” u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Ajo dyshohet se, së bashku me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana, nuk kanë arkëtuar rreth 69 milionë lekë të rinj në degët e Postës në Shijak dhe Krujë gjatë muajve prill dhe maj.
Prokuroria dyshon se shuma, e destinuar për pagesën e pensioneve dhe ndihmës ekonomike, është përvetësuar. Pamjet e Matajt duke nxjerrë paratë nga ambientet e Postës me qese të zeza u publikuan pas arrestimit dhe u bënë pjesë e raportimeve për çështjen.
Në vendimin e sotëm, gjykata nuk ka vendosur pushimin e hetimeve ndaj Matajt. Masa e “arrestit në shtëpi” vijon të jetë në fuqi dhe vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda pesë ditëve.
Ndërkohë, emërimi i bashkëshortit të saj në një post drejtues në Bashkinë e Durrësit, i ndjekur pak ditë më pas nga zbutja e masës së sigurisë ndaj Matajt, sjell sërish në vëmendje çështjen e familjes Mataj, e cila ishte bërë publike pas arrestimit të ish-drejtoreshës së Postës.



