KreuDrejtësiaPërplasje brenda SPAK?/ Dumani kërkon të marrë në pyetje një prokuror

Përplasje brenda SPAK?/ Dumani kërkon të marrë në pyetje një prokuror

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Një tjetër zhvillim i pazakontë raportohet brenda SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e Ergys Agasit.

Gazetari Elton Qyno ka deklaruar në emisionin “MaShqip”, të gazetarit Flamur Vezaj, se prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti kanë kërkuar të marrin në pyetje një prokuror të SPAK dhe një gjyqtare të GJKKO-së, pasi pretendohet se ata kanë qenë në zyrën e Ergys Agasit në zonën e ish-Bllokut.

Sipas Qynos, prokurorët që po hetojnë çështjen nuk kanë shkuar vetë për ta pyetur kolegun e tyre, por kanë dërguar dy oficerë të BKH-së.

“Pasi kanë pyetur më 18 gusht Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin, dy prokurorët Dumani dhe Maksuti kanë tentuar të pyesin edhe një prokuror tjetër në SPAK, të cilit i kanë dërguar dy oficerë të BKH-së”, tha Qyno.

Sipas tij, prokurori ka refuzuar të përgjigjet dhe më pas i është dërguar fletëthirrje për t’u paraqitur në BKH. Edhe kësaj kërkese, sipas gazetarit, ai i është përgjigjur me refuzim.

Qyno pretendon se bëhet fjalë për një prokuror të SPAK që rezulton të ketë takuar Ergys Agasin në zyrën e tij. Po sipas tij, në të njëjtin kuadër verifikimi përmendet edhe një gjyqtare e GJKKO-së, e cila dyshohet se ka pasur një takim me Agasin.

“Një nga prokurorët e SPAK, por edhe një gjyqtare e GJKKO-së, rezultojnë të kenë shkuar në zyrën e Ergys Agasit në zonën e ish-Bllokut dhe kanë marrë një takim me të”, deklaroi Qyno, duke shtuar se nuk dihet se për çfarë kanë diskutuar.

Gazetari tha se verifikimi lidhet edhe me ekzistencën e disa videove që, sipas tij, janë bërë nga vetë Ergys Agasi dhe ku pretendohet se shfaqet prokurori.

Nëse këto të dhëna konfirmohen, çështja do të përbënte një situatë të pazakontë, pasi bëhet fjalë për verifikime brenda vetë strukturës së SPAK dhe për një prokuror që është thirrur për të dhënë shpjegime nga kolegët e tij.

Deri tani, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga SPAK dhe as nga GJKKO. Nuk është bërë publike nëse verifikimet do të vijojnë dhe nëse prokurori i SPAK apo gjyqtarja e GJKKO-së do të merren zyrtarisht në pyetje.

Qyno ngriti gjithashtu pretendimin se brenda SPAK tashmë ekzistojnë grupe prokurorësh me interesa të ndryshme, por ky është një vlerësim i tij dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucioni.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat