Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një pikëpyetje e fortë ngrihet në hetimet për Ergys Agasin. Kush është prokurori i SPAK dhe kush është gjyqtarja e GJKKO-së që dyshohet se kanë shkuar në zyrën e biznesmenit dhe janë filmuar nga kamerat e vendosura aty?
Prania e tyre është bërë publike përmes raportimeve të gazetarëve, por identitetet nuk janë bërë zyrtarisht publike. Mediat raportuan që në maj se në videot e sekuestruara në zyrën e Agasit shfaqet një prokuror antikorrupsion dhe se bisedat mes tij dhe biznesmenit mbahen sekret.
Çështja është rikthyer në vëmendje pas deklarimeve të gazetarit Elton Qyno, i cili tha se prokurori është tentuar të merret në pyetje nga BKH-ja në kuadër të hetimit të dosjes Agasi.
Sipas Qynos, dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, kanë dërguar oficerë të BKH-së për ta pyetur kolegun e tyre. Prokurori, sipas këtij raportimi, ka refuzuar dhe më pas i është dërguar një fletëthirrje për t’u paraqitur në BKH. Edhe ndaj kësaj thirrjeje, sipas Qynos, ai ka refuzuar.
Pyetja që fillimisht shtrohet është se përse identiteti i këtij prokurori dhe i gjyqtares që përmendet në të njëjtin material nuk është bërë publik, ndërkohë që në rastin e personave të tjerë të përfshirë në dosje janë publikuar detaje të shumta nga hetimi?
Për të vijuar më tej me pyetjen se në çfarë rrethanash kanë ndodhur takimet me Agasin për çfarë janë zhvilluar dhe nëse ato kanë ndonjë lidhje me çështjen që po hetohet.
Por derisa nuk ka transparencë gjithçka mbetet te pyetjet,
Në dosjen Agasi, nga SPAK dhe GJKKO në formën e burimeve ose jo, janë bërë publike një sërë të dhënash për personat nën hetim dhe masat e sigurisë. Vetë Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se Agasi hetohet për disa vepra penale, ndërsa gjatë zhvillimit të çështjes janë bërë publike edhe detaje të ndryshme mbi provat dhe personat e tjerë të përfshirë.
Madje, në një rast tjetër të lidhur me dosjen, GJKKO ka lënë në fuqi masën e arrestit për persona të dyshuar se kanë ndihmuar Agasin gjatë kohës që ishte në kërkim, ndërsa janë bërë publike edhe dyshimet konkrete të ngritura ndaj tyre.
Nëse një person që nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë përballet me publikimin e detajeve të hetimit, ndërsa një prokuror apo gjyqtar i përmendur në të njëjtën çështje mbetet anonim, publiku ka të drejtë të kërkojë të dijë arsyen.
Deri tani, SPAK dhe GJKKO nuk kanë bërë publike identitetet e personave që përmenden në këto raportime dhe nuk kanë dhënë një shpjegim publik për takimet.
Ndërkohë, fakti që një prokuror i SPAK, sipas raportimit të Elton Qynos, ka refuzuar të merret në pyetje nga BKH-ja, e bën edhe më të rëndësishme një sqarim institucional mbi rrethanat e kësaj çështjeje.
Në fund, standardi duhet të jetë i njëjtë. Nëse takimi është i parëndësishëm dhe nuk lidhet me hetimin, kjo mund të sqarohet. Nëse ka arsye për verifikim, edhe kjo duhet të bëhet sipas procedurave ligjore. Ajo që mbetet e paqartë deri tani është pse publiku di kaq shumë për të dyshuarit e tjerë, ndërsa për prokurorin dhe gjyqtaren që përmenden në këto raportime di vetëm se janë shfaqur në videot e sekuestruara nga zyra e Agasit.



