Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Reforma administrativo-territoriale ka hyrë në një fazë të re përplasjesh politike, pasi Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvend projektligjin e saj për ndarjen e re të territorit. Opozita propozon që Shqipëria të ketë 100 bashki dhe 12 qarqe, ndërsa mazhoranca socialiste ka paraqitur një variant që e ul numrin e bashkive nga 61 në 46.
PD argumenton se propozimi i saj nuk lidhet thjesht me numrin e njësive vendore, por me modelin e qeverisjes lokale.
“Çështja themelore është modeli i pushtetit vendor që Shqipëria dëshiron të ndërtojë. Ne nuk propozojmë më shumë bashki për të krijuar më shumë poste”, thuhet në relacionin e projektligjit të depozituar në Kuvend. Sipas PD-së, qëllimi është krijimi i njësive vendore që sjellin më shumë afërsi me qytetarët, shërbime, autonomi dhe zhvillim.
Opozita propozon gjithashtu ruajtjen e 12 qarqeve, ndërsa në draftin e saj përfshin edhe parime si decentralizimi, autonomia financiare, kompetenca të qarta dhe llogaridhënia e pushtetit vendor. Drafti shoqërohet me një relacion prej 168 faqesh, ku PD thotë se janë analizuar kriteret ligjore dhe përvoja e reformës së vitit 2014.
Nga ana tjetër, socialistët propozojnë një hartë me 46 bashki, duke shkrirë 15 nga 61 njësitë aktuale. Qarqet nuk preken nga propozimi i PS-së, ndërsa drafti parashikon edhe krijimin e një niveli të ri për qytetet me status të veçantë ligjor.
Ndërkohë, opozita kundërshton reduktimin e numrit të bashkive dhe ka kërkuar që qytetarët të kenë një rol vendimmarrës për hartën e re. Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, ka propozuar që dy alternativat të hidhen në referendum dhe të jenë qytetarët ata që përcaktojnë modelin e ndarjes territoriale.
Me dy projektet tashmë në Kuvend, debati për hartën e re pritet të përqendrohet te madhësia e bashkive, shërbimet që do t’u ofrohen qytetarëve dhe mënyra se si do të organizohet pushteti vendor.



