Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Me dorëzimin e Letrave Kredenciale te Presidenti Bajram Begaj, Eric Wendt ka nisur zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Pas gati tre vitesh pa një ambasador të konfirmuar në Tiranë, diplomacia amerikane ka tashmë në krye të misionit një ish-gjeneral me më shumë se 34 vite shërbim ushtarak dhe një profil të lidhur ngushtë me sigurinë dhe NATO-n.
Por çfarë pritet të jetë në qendër të mandatit të tij?
Wendt i ka përcaktuar vetë disa prej prioriteteve që në dëgjesën e tij para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, më 20 maj. Ai i ndau objektivat e misionit në katër drejtime, siguri, mbrojtje, diplomaci ekonomike dhe funksionimin e ambasadës.
Siguria dhe lufta kundër krimit
Një nga çështjet kryesore të deklaruara nga Wendt është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Shqipëria vazhdon luftën kundër korrupsionit ligjor dhe ekonomik, si dhe krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës”, deklaroi ai para senatorëve, duke argumentuar se mbështetja e Shqipërisë në këto fusha lidhet edhe me sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Kjo e vendos bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në një nga pikat kryesore të axhendës së ambasadorit të ri.
SPAK dhe reforma në drejtësi
Një tjetër çështje e rëndësishme është drejtësia. Gjatë seancës së konfirmimit në Senat, Wendt foli pozitivisht për SPAK-un dhe e lidhi funksionimin e institucioneve të drejtësisë me pavarësinë dhe klimën e investimeve.
Ai e ka përshkruar SPAK-un si një institucion që, sipas tij, ka treguar profesionalizëm dhe pavarësi, ndërsa ka theksuar rëndësinë që kjo pavarësi të ruhet.
Për Wendt, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një çështje e brendshme shqiptare. Në deklaratën e tij në Senat, ai e lidhi atë edhe me sigurinë amerikane dhe me interesat e investitorëve amerikanë në Shqipëri.
Kjo do të thotë se SPAK-u, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pritet të mbeten pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve mes dy vendeve edhe gjatë mandatit të ambasadorit të ri.
NATO dhe siguria e Shqipërisë
Profili i Wendt e bën veçanërisht të rëndësishëm dimensionin e sigurisë. Ai ka drejtuar Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s dhe gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar edhe me forcat speciale shqiptare.
Në Senat, Wendt deklaroi se do të punojë për mbështetjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të marrëveshjeve të NATO-s, përfshirë objektivin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Ai përmendi gjithashtu forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike të Shqipërisë dhe SHBA-së dhe mundësi të tjera për bashkëpunim në fushën ushtarake.
Për Shqipërinë, kjo e vendos në qendër të marrëdhënieve dypalëshe jo vetëm bashkëpunimin tradicional ushtarak, por edhe kërcënimet e reja të sigurisë, veçanërisht hapësirën kibernetike.
Investimet amerikane dhe ekonomia
Një tjetër element i deklaruar nga ambasadori i ri është diplomacia ekonomike.
Wendt ka përmendur sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura dhe industria minerare si fusha ku mund të rritet prania e investimeve amerikane.
Por ai ka vendosur edhe një kusht të qartë për këtë qasje: kompanitë dhe investitorët amerikanë, sipas tij, duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë, me transparencë dhe me kushte të barabarta ligjore dhe kontraktuale.
Kjo mund ta bëjë klimën e biznesit një tjetër pikë të rëndësishme të agjendës së ambasadës amerikane në Tiranë.
Rajoni dhe bashkëpunimi në siguri
Profili i Wendt lidhet gjithashtu me sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Në Senat, ai e cilësoi Shqipërinë si një partner të rëndësishëm të SHBA-së dhe aleat të NATO-s, duke e lidhur vendin me stabilitetin rajonal dhe global.
Kështu, mandati i tij vjen në një moment kur Shqipëria është pjesë e strukturave euroatlantike dhe kur siguria rajonale, mbrojtja, lufta kundër krimit ndërkombëtar dhe siguria kibernetike janë bërë pjesë e një axhende gjithnjë e më të ndërthurur.
Me nisjen zyrtare të detyrës, mbetet për t’u parë se si këto prioritete të deklaruara në Uashington do të përkthehen në bashkëpunim konkret në Tiranë. Takimi i parë i Wendt me Presidentin Begaj pas dorëzimit të kredencialeve shënon hapin e parë të mandatit të tij të ri diplomatik.



