Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Grupi “Homeland Justice” ka publikuar në kanalin e tij në Telegram një seri dokumentesh që pretendon se lidhen me rrjetin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Sipas grupit, dokumentet përmbajnë numra celularësh që u përkasin personave të lidhur me strukturat e inteligjencës shqiptare. Materialet e publikuara mbajnë data të vitit 2020 dhe lidhen me pagesat mujore të shërbimit telefonik.
Në dokumente shfaqet edhe emri i operatorit Vodafone Albania, ndërsa materialet përmbajnë të dhëna mbi numrat dhe pagesat për shërbimin.
“Homeland Justice” pretendon se bëhet fjalë për një listë të plotë të numrave të telefonit të agjentëve të SHISH. Megjithatë, nga vetë dokumentet e publikuara nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur se lista përfaqëson të gjithë rrjetin e agjentëve të shërbimit.
Grupi paralajmëron ndërkohë publikime të tjera.
“Në javët në vazhdim, do të ketë surpriza të mëdha për qeverinë”, shkruhet në mesazhin e publikuar në Telegram.
Dokumentet e bëra publike nuk i përkasin periudhës së fundit. Ato datojnë kryesisht në vitin 2020 ose periudha përpara tij.
Një pistë që po qarkullon lidhur me origjinën e materialeve është se ato mund të jenë marrë nga komunikimet elektronike të ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo.
Publikimi i të dhënave që pretendohet se lidhen me punonjës ose agjentë të një institucioni të inteligjencës ngre shqetësime të veçanta për sigurinë dhe ekspozimin e informacionit sensitiv.
Deri në këtë fazë, mbetet për t’u përcaktuar autenticiteti i plotë i dokumenteve, nëse numrat e publikuar u përkasin aktualisht strukturave të SHISH dhe nëse materialet janë pjesë e ndonjë rrjedhjeje të mëparshme të të dhënave.
SHISH nuk ka bërë të ditur në këtë material një qëndrim zyrtar mbi autenticitetin e dokumenteve të publikuara.



