Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Evi Kokalari ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me diskutimet për kamerën e shfaqur në videot “Hila”, që kanë shkaktuar debat në ditët e fundit, duke kundërshtuar interpretimin se ende nuk dihet nëse bëhej fjalë për një kamerë sigurie apo një pajisje të vendosur posaçërisht për të filmuar.
Kokalari i referohet deklaratave të gazetarit Blendi Fevziu, i cili ka thënë se nuk është ende e qartë nëse kamera ishte pjesë e një sistemi sigurie apo ishte instaluar për një qëllim tjetër.
Sipas Kokalarit, vetë pozicionimi i kamerës ngre dyshime të forta për funksionin e saj.
“Më fal, por kush ka kamera në shtëpi apo në vendin e biznesit, e di shumë mirë që kamerat vihen në qoshet e tavanit që të kapin një pjesë sa më të madhe të dhomës apo zonës që mbulojnë”, shkruan ajo.
Kokalari pretendon se kamera në pamjet e publikuara është vendosur në një pozicion që, sipas saj, nuk përputhet me mënyrën tipike të instalimit të një kamere sigurie.
“Ajo kamerë është pozicionuar vetëm disa cm mbi nivelin e krevatit dhe kap mjaftueshëm hapësirën e krevatit, jo të dhomës”, shprehet ajo.
Sipas interpretimit të saj, kamera ishte vendosur posaçërisht për të regjistruar personat që ndodheshin në shtrat.
“Pra, autori i krimit e ka instaluar pikërisht për të filmuar këto gra”, shkruan Kokalari.
Në fund të reagimit, ajo ironizon edhe mënyrën se si është trajtuar publikisht çështja nga gazetarët, duke shkruar: “Thumbs up për profesionalizmin e gazetarëve shqiptarë”.
Reagimi i Kokalarit vjen në një kohë kur publikimi dhe shpërndarja e materialeve intime ka hapur debat të gjerë, ndërsa hetimet për rrethanat e regjistrimeve dhe publikimit të tyre vijojnë.



