Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Gazetarja dhe juristja Dafina Hysa ka reaguar në rrjetet sociale për fenomenin e rekrutimeve përmes kontakteve personale dhe rekomandimeve, duke e lidhur atë me debatin e hapur pas videoskandalit të fundit që ka përfshirë personazhe të njohur të artit.
Hysa i referohet një të dhëne të Bankës Botërore, të përfshirë edhe në Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2023–2030, sipas së cilës rreth 60% e rekrutimeve në Shqipëri lidhen me kanale informale, përfshirë kontaktet personale dhe rekomandimet.
Sipas saj, ky fenomen nuk kufizohet vetëm te administrata publike, por shtrihet edhe në sektorin privat.
Në reagimin e saj, Hysa e zhvendos vëmendjen nga skandali konkret te mënyra se si krijohen mundësitë profesionale dhe pyet se çfarë ndodh kur “njohja” zë vendin e meritës dhe konkurrimit.
“Çfarë ndodh kur ‘njohja’ zë vendin e meritokracisë dhe konkursit në art e kudo?”, shkruan ajo.
Hysa argumenton se pas një skandali të tillë mund të ketë viktima, por sipas saj debati nuk duhet të ndalet vetëm te individët.
“Përpara se të gjykojmë individët, duhet të flasim për sistemin që u mundëson ‘disa’ njerëzve të ndihen të paprekshëm dhe të kenë në duar fatin dhe të ardhmen profesionale të shumë artistëve, por edhe profesionistëve në fusha të ndryshme”, shprehet ajo.
Më tej, gazetarja dhe juristja e konsideron “njohjen” një mekanizëm që, sipas saj, nuk funksionon më si përjashtim, por është kthyer në një mënyrë të zakonshme për të krijuar mundësi profesionale.
“Sepse sot jemi në një situatë ku ‘njohja’ nuk është përjashtim, por fatkeqësisht është shndërruar në sistem”, shkruan Hysa.
Në fund të reagimit, ajo e zgjeron përgjegjësinë për këtë situatë përtej atyre që kanë krijuar apo përfituar drejtpërdrejt nga ky mekanizëm.
“Edhe nëse jo me kontribut të drejtpërdrejtë në krijimin e këtij sistemi, me mosveprimet tona kemi lejuar që të arrijë në këtë pikë”, përfundon ajo.



