Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Dy raste, të ndara me gati nëntë vite, tregojnë se përplasja mes drejtësisë dhe shumicës parlamentare nuk është një fenomen i ri.
Në vitin 2017 ishte ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në vitin 2026, në qendër të përplasjes u vendos ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Në të dyja rastet, organet e drejtësisë kërkuan autorizim nga Kuvendi për masa që prekën drejtpërdrejt statusin e deputetëve.
Rasti i Tahirit nisi në tetor 2017, kur Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit. Prokuroria e kishte regjistruar Tahirin nën dyshimin për trafikim narkotikësh në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
Por Kuvendi nuk votoi për arrestimin e tij.
Më 25 tetor 2017, mazhoranca votoi me 75 vota kundër dhe 60 pro kërkesës për arrestim. Kuvendi miratoi alternativën që Tahiri të hetohej në gjendje të lirë, ndërsa autorizoi kontrollin personal dhe të banesës së tij. Nga 75 votat pro qëndrimit të mazhorancës, 72 ishin të deputetëve socialistë dhe tre të PDIU-së.
Në atë kohë, opozita e cilësoi vendimin si mbrojtje politike për ish-ministrin.
Nëntë vjet më pas, një tjetër kërkesë e SPAK për një deputete socialiste vendosi Kuvendin përballë të njëjtës çështje, autorizimin për arrestim.
Në rastin e Belinda Ballukut, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit parlamentar për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Balluku ishte nën akuzë nga SPAK për ndërhyrje të dyshuar në procedura tenderimi infrastrukture, akuza që ajo i ka mohuar.
Më 12 mars 2026, Kuvendi e rrëzoi kërkesën.
Rezultati ishte 82 vota kundër dhe 47 pro. Të gjitha votat socialiste në sallë shkuan kundër heqjes së imunitetit, ndërsa kërkesa e SPAK u mbështet nga opozita. Tre deputetë të Partisë Socialdemokrate votuan gjithashtu kundër.
Krahasimi i dy votimeve tregon një model politik të përsëritur. Por historia nuk përfundon te votimi.
Në vitin 2022, SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, i hetuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. Këtë herë Kuvendi nuk arriti të votojë kërkesën. Më 30 mars, mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u anulua pasi Bllako kishte depozituar dorëheqjen nga mandati i deputetit. Pas humbjes së mandatit, SPAK iu drejtua gjykatës dhe GJKKO caktoi ndaj tij masën “arrest në burg”.



