Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Pushteti qendror dhe bashkitë po japin me qira sipërfaqe të mëdha të fondit publik për aktivitete private, përfshirë parqe fotovoltaike dhe projekte të tjera ekonomike. Në disa raste, procedurat janë zhvilluar me vetëm një operator konkurrues dhe kontratat shkojnë deri në 10 vjet.
Të dhënat e publikuara në Open Procurement tregojnë disa raste konkrete.
60 hektarë në Sarandë për 10.56 milionë lekë në vit
Bashkia Sarandë dha me qira 60 hektarë fond kullosor në zonën kadastrale 2806, pjesë e ekonomisë kullosore “Heremec”, për prodhim energjie nga burime të rinovueshme përmes paneleve fotovoltaike.
Fitues u shpall “PARK SOL ENERGY” SHPK, e cila ishte edhe e vetmja kompani konkurruese në procedurë.
Oferta ishte 10.56 milionë lekë në vit, ndërsa afati i qirasë është 10 vjet. Nëse vlera mbetet e njëjtë gjatë gjithë periudhës, të ardhurat do të arrinin në rreth 105.6 milionë lekë.

Dokumentet e Open Procurement dhe buletini i APP konfirmojnë se kompania u shpall fituese më 15 shtator 2025.
140 hektarë në Skrapar, 19.46 milionë lekë në vit
Një tjetër sipërfaqe shumë e madhe është dhënë me qira nga Bashkia Skrapar.
Bëhet fjalë për 140 hektarë fond kullosor në zonën Zhepë, ekonomia kullosore Dobrenjë-Gjogovicë. Qëllimi i dhënies në përdorim lidhet me zhvillimin ekonomik, përfshirë energjinë e rinovueshme.
Në këtë procedurë mori pjesë vetëm një operator, “Kanione Stone – Energji 2024”.

Kompania ofroi 139 mijë lekë për hektar në vit, ose 19.46 milionë lekë në vit për të gjithë sipërfaqen. Afati i qirasë është 10 vjet.
Nëse pagesa mbetet në këtë nivel, vlera e qirasë për gjithë periudhën do të ishte rreth 194.6 milionë lekë.
44.57 hektarë në Vau të Dejës për park fotovoltaik
Në Vau të Dejës, një sipërfaqe prej 44.57 hektarësh në fshatin Mnele është dhënë me qira për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Fitues u shpall “ENERSUN PARK ALBANIA” SHPK, me ofertë prej 6.952.920 lekësh në vit pa TVSH.
Edhe kjo procedurë është parashikuar për 10 vjet. Vetëm për këtë sipërfaqe, qiraja do të arrinte në rreth 69.5 milionë lekë gjatë gjithë periudhës, nëse çmimi vjetor mbetet i pandryshuar.

Kjo sipërfaqe është pjesë e një procedure më të gjerë të Bashkisë Vau i Dejës për 306.83 hektarë, të ndarë në pesë lote për parqe fotovoltaike.
Një tjetër lot në Vau të Dejës
Në të njëjtën zonë, një tjetër sipërfaqe prej 103.03 hektarësh është nxjerrë për qira 10-vjeçare për park fotovoltaik.
Për këtë lot, Open Procurement tregon si fitues kompaninë “THE VALLEY GREEN SOLAR” SHPK, me ofertë prej 6.952.920 lekësh në vit.
Pra, vetëm këto katër raste përfshijnë rreth 347.6 hektarë sipërfaqe publike të dhëna ose të parashikuara për përdorim privat dhe pagesa vjetore që shkojnë në dhjetëra milionë lekë.

Në tre nga rastet e mësipërme dokumentet tregojnë qartë se në procedurë ka pasur vetëm një operator konkurrues. Kontratat janë afatgjata, ndërsa në rastet e parqeve fotovoltaike bëhet fjalë për përdorimin ekonomik të sipërfaqeve publike për një periudhë 10-vjeçare.



