Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, është rikthyer në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka zhvilluar një takim me kreun e këtij institucioni, Klodian Braho, si dhe me drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta.
Wendt ka mbërritur në SPAK i shoqëruar nga anëtarë të delegacionit amerikan dhe senatorë të Shteteve të Bashkuara.
Vizita e sotme vjen vetëm pesë ditë pas takimit të parë të ambasadorit amerikan me drejtuesit e SPAK-ut dhe BKH-së, i zhvilluar më 5 tetor. Rikthimi i tij në institucionin e posaçëm, brenda një kohe kaq të shkurtër, vjen në një moment kur bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një çështje me rëndësi.
Gjatë takimit të 5 tetorit, sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, në fokus ishte lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm. Ambasada theksoi gjithashtu rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve për përballjen me këto sfida.
Për takimin e zhvilluar sot nuk janë bërë ende publike detaje mbi çështjet e diskutuara.



