KreuAktualitetEkonomiaÇmimet e karburanteve si në ashensor/ Çfarë fshihet pas vendimeve të Bordit?

Çmimet e karburanteve si në ashensor/ Çfarë fshihet pas vendimeve të Bordit?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Në vetëm katër ditë, nafta kaloi nga 210 në 217 lekë për litër dhe më pas zbriti në 213 lekë. Edhe benzina ndryshoi çmim, por në drejtim të kundërt. Vendimet e shpeshta të Bordit të Transparencës ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si përllogariten çmimet dhe sa transparent është ky mekanizëm ndaj qytetarëve.

Bordi i Transparencës po ndryshon çmimet e karburanteve me ritëm të shpejtë, duke i lënë qytetarët përballë një situate ku një ditë çmimet ulen, ditën tjetër rriten dhe më pas ndryshojnë sërish.

Më 7 tetor, Bordi vendosi që nafta të shitej me jo më shumë se 210 lekë për litër, ndërsa benzina me 190 lekë. Por vetëm një ditë më pas, më 8 tetor, çmimet u rritën ndjeshëm: nafta shkoi në 217 lekë për litër dhe benzina në 193 lekë.

Më 9 tetor, erdhi një tjetër ndryshim. Çmimi tavan i naftës u ul me 4 lekë, duke zbritur në 213 lekë për litër, ndërsa benzina u rrit me 1 lek, duke arritur në 194 lekë për litër.

Pra, brenda dy ditësh, nafta u rrit me 7 lekë dhe më pas u ul me 4 lekë për litër. Ndërkohë, benzina fillimisht u shtrenjtua me 3 lekë dhe më pas me 1 lek tjetër.

Çfarë fshihet pas këtyre vendimeve?

Lëvizjet e shpeshta të çmimeve ngrenë një pyetje të rëndësishme: cilët janë faktorët konkretë që justifikojnë ndryshime kaq të shpejta dhe sa ndikojnë ato realisht në çmimin që paguajnë qytetarët?

Bordi argumenton se çmimet përcaktohen mbi bazën e kuotimeve ndërkombëtare të produkteve të naftës, të publikuara nga agjencia “S&P Global Platts”, detyrimeve tatimore e doganore dhe marzheve bruto maksimale të tregtimit. Megjithatë, njoftimet me çmimet e reja nuk mjaftojnë për të kuptuar se si është llogaritur çdo ndryshim dhe çfarë peshe ka pasur secili faktor.

Nëse çmimet ndërkombëtare ndryshojnë nga dita në ditë, Bordi duhet të bëjë të qartë se si reflektohen këto lëvizje në llogaritjet e tij. Sa ndryshuan kuotimet ndërkombëtare nga 7 në 8 tetor? Çfarë e justifikoi rritjen e naftës me 7 lekë për litër brenda një dite dhe, më pas, uljen me 4 lekë? Po benzina, pse vazhdoi të shtrenjtohej kur nafta u ul?

Këto janë çështje që kërkojnë shpjegim konkret, jo vetëm publikimin e një tabele të re me çmime tavan.

Çmimet ndryshojnë, por a përfitojnë qytetarët?

Një tjetër pikë që kërkon vëmendje është diferenca mes çmimit tavan të shpallur nga Bordi dhe çmimit real në pikat e karburantit. Çmimi tavan është kufiri maksimal i lejuar, jo detyrimisht çmimi me të cilin duhet të shitet karburanti. Operatorët mund të shesin edhe më lirë.

Për këtë arsye, për të vlerësuar efektin real të vendimeve, duhet parë nëse uljet reflektohen në çmimet që paguajnë konsumatorët dhe nëse rritjet justifikohen nga të dhënat e tregut.

Në një treg ku karburantet ndikojnë drejtpërdrejt te transporti, shërbimet dhe kostoja e jetesës, transparenca nuk mund të kufizohet vetëm te njoftimi i çmimit të radhës.

Bordi duhet të bëjë publike llogaritjet që qëndrojnë pas çdo vendimi, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë arsyet e rritjeve dhe uljeve, si dhe të kenë mundësi të verifikojnë nëse çmimet e përcaktuara janë në përputhje me ndryshimet reale të tregut.

Deri atëherë, ndryshimet e shpeshta të çmimeve mbeten një burim pikëpyetjesh për konsumatorët, të cilët kanë të drejtë të dinë se mbi çfarë baze përcaktohet çmimi i karburantit që blejnë çdo ditë.

Çmimet 24-orëshe të Bordit të Transparencës për karburantet/ Si tallen me konsumatorët

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat