Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protesta në Tiranë është shoqëruar me tensione edhe mes protestuesve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Deputeti demokrat Edi Paloka është rrethuar nga protestuesit, të cilët kanë kundërshtuar praninë e tij dhe i kanë kërkuar të largohet nga tubimi.
Në pamjet e publikuara shihet edhe Arjana Kalaja, ndërsa protestuesit dëgjohen duke thirrur “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Deputetët e krimit”.
Gjatë përplasjes verbale, Paloka u është përgjigjur protestuesve duke thënë se ka një jetë që proteston.
“Kam një jetë që protestoj”, dëgjohet t’u thotë deputeti.
Por një prej protestueseve e ka kundërshtuar, duke i thënë: “Nuk je për popullin, je për opozitën”.
Situata është tensionuar më tej, pasi në drejtim të Palokës janë hedhur ujë dhe shishe. Protestuesit kanë vijuar të kundërshtojnë praninë e përfaqësuesve të opozitës, duke u kërkuar të largohen.
Përplasja vjen në një kohë kur protesta para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësi jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj përfaqësuesve politikë që u janë bashkuar tubimit.



