Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protesta në Rrugën e Durrësit në Tiranë është përshkallëzuar këtë të mërkurë, ku protestuesit kanë shkatërruar plotësisht një degë të Raiffeisen Bank dhe i kanë vënë flakën filialit të institucionit të mikrokredive Iute Credit.
Në degën e Raiffeisen Bank, protestuesit kanë thyer xhamat dhe janë futur brenda ambienteve, ku kanë dëmtuar raftet dhe kanë shpërndarë dokumentet. Deri më tani, nuk ka raportime për marrjen e parave që mbahen në kasafortë. Punonjësit e bankës janë larguar nga objekti, ndërsa sipas informacioneve të raportuara, në momentin e ngjarjes nuk kishte as efektivë të policisë private që të ruanin godinën.

Në të njëjtën zonë është sulmuar sërish edhe filiali i Iute Credit, në hyrje të Rrugës së Durrësit. Këtë herë, protestuesit i kanë vënë flakën biznesit të mikrokredive. Një ditë më parë, ambientet e tij ishin shkatërruar, ndërsa mobiliet ishin nxjerrë në rrugë dhe përdorur për të ndezur zjarr.
Prej disa orësh, Rruga e Durrësit është kthyer në arenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë. Demonstruesit kanë ndezur zjarre në koshat e mbetjeve dhe kanë hedhur gurë e molotovë në drejtim të forcave të rendit. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me piper për të shpërndarë turmën.
Protestës i janë bashkuar këtë të mërkurë edhe studentë të Universitetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave të Natyrës, si dhe gjimnazistë, të cilët kanë bojkotuar mësimin.
Përplasjet vijojnë pas tensioneve të një dite më parë, kur disa persona mbetën të lënduar. Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë në lidhje me ngjarjet e protestës.
Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa dëmet në bizneset e goditura janë të konsiderueshme.



