Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Elisa Spiropali ka mohuar se qëndron pas një e-maili të dërguar në adresat e deputetëve të Kuvendit, ku propozohet një reformë e thellë kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe një mocion mosbesimi që parashikon kalimin e drejtimit të qeverisë tek ajo.
Në një reagim për “Vizion Plus”, Spiropali është distancuar nga mesazhi që u është dërguar deputetëve në emër të saj, një ditë pas letrës publike që ajo i drejtoi kryeministrit Edi Rama.
E-maili përmban një sërë propozimesh për ndryshime në sistemin politik dhe zgjedhor në vend. Ndër to është zgjerimi i Kuvendit nga 140 në 201 deputetë, vendosja e listave 100% të hapura dhe kufizimi i mandateve për deputetët dhe kryeministrin.
Drafti parashikon gjithashtu zgjedhjen e një kryeministri të ri me të paktën 104 vota në Kuvend, ndërsa përfshin edhe një program tranzitor 100-ditor, gjatë të cilit drejtimi i Ekzekutivit do t’i kalonte Elisa Spiropalit.
Përmes mesazhit, deputetëve u bëhej thirrje që t’i bashkoheshin nismës si bashkëpropozues. Në fund të e-mailit figuron emri i Skerdi Shahajt.
Dërgimi i këtij mesazhi vjen në një moment kur vëmendja është përqendruar te raportet mes Spiropalit dhe kreut të qeverisë, pas letrës publike që ajo i drejtoi Ramës.
Megjithatë, pas mohimit të Spiropalit, mbetet e paqartë se kush e ka hartuar dhe shpërndarë e-mailin, nëse emri i saj është përdorur pa miratimin e saj dhe cili është qëllimi i kësaj nisme politike.



