Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Pedagogët i janë bashkuar këtë të martë marshimit të studentëve, në mbështetje të kërkesave të tyre për arsim më cilësor dhe përmirësimin e kushteve në universitete dhe rezidencat studentore.
Të mbledhur fillimisht përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, pedagogët kanë mbajtur një fjalë të shkurtër dhe më pas kanë marshuar së bashku me studentët, nën moton “Stop dhunës ndaj studentëve”.
Sindikata e Pedagogëve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka deklaruar se do të qëndrojë në krah të studentëve, duke shprehur shqetësimin për dhunën policore të shfaqur gjatë protestave të fundit.
Në një deklaratë, sindikata e ka cilësuar pjesëmarrjen në protestë si një detyrim qytetar dhe njerëzor, me qëllim mbrojtjen e studentëve dhe krijimin e kushteve për dialog.
“Një pjesëmarrje sa më e madhe tregon se elitat reale ekzistojnë dhe janë në pozicionin që u takon në të mirë të kombit tonë”, thuhet në deklaratën e SPUSH.
Marshimi ka vijuar drejt Kryeministrisë, ku studentët dhe pedagogët kanë larguar karriget e vendosura më herët nga kryeministri Edi Rama në bulevard, si ftesë për dialog me protestuesit.
Me këtë veprim, protestuesit kanë kundërshtuar formatin e propozuar të bisedimeve, duke deklaruar se janë të gatshëm të ulen në tryezë vetëm me kryeministrin e ri.



