KreuAktualitetPolitikaNga Veliaj te zgjedhjet e 2027/ Balla tregon qëndrimet e PS-së

Nga Veliaj te zgjedhjet e 2027/ Balla tregon qëndrimet e PS-së

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar pas seancës plenare votimin e buxhetit, çështjen e Erion Veliajt dhe konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Balla e cilësoi si një lajm të mirë miratimin e buxhetit të parë mbi 10 miliardë euro, duke veçuar edhe ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale, përfshirë uljen e TVSH-së për ushqimet dhe heqjen e taksës së karburanteve.

“Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë mbi 10 miliardë euro në gjithë historinë tonë si shtet”, deklaroi Balla, duke shtuar se edhe opozita duhet të marrë pjesë në votimin e buxhetit.

Ai u ndal edhe te përbërja e grupit parlamentar socialist, duke theksuar se të 82 deputetët e PS-së janë të pranishëm për të mbështetur vendimet e mazhorancës.

I pyetur për Belinda Ballukun, Balla deklaroi se ajo ka qenë e pranishme në aktivitetet parlamentare dhe e vlerësoi si një nga deputetet më të mira të Partisë Socialiste për sa i përket angazhimit në zonën zgjedhore.

Sipas tij, në mbledhjet e grupit parlamentar deputetët paraqesin problematika të ndryshme, të cilat diskutohen me dyer të mbyllura dhe nuk bëhen publike.

Balla për Veliajn: Trajtimi i të burgosurve, në kuadër të procesit të integrimit në BE

Sa i përket transferimit të Erion Veliajt në burgun e Fierit, Balla tha se ka marrë ankesa edhe për persona të tjerë, duke përmendur ish-presidentin Ilir Meta, dhe se shqetësimet ua ka përcjellë ministrave përkatës.

Ai theksoi se çështjet që lidhen me trajtimin e personave të paraburgosur dhe të dënuar duhet të trajtohen edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet vendore, PS kërkon të mos mbahen më 2 maj

Në lidhje me datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027, Balla bëri të ditur se Partia Socialiste nuk do të propozojë një datë konkrete gjatë konsultimit me Presidentin Bajram Begaj.

Sipas tij, mazhoranca do të respektojë kompetencën e kreut të shtetit për caktimin e datës së zgjedhjeve, por do të kërkojë që ato të mos zhvillohen më 2 maj, pasi kjo datë përkon me një festë fetare.

“Ne nesër nuk do të shkojmë me një datë, duke respektuar kompetencën e Presidentit. Ne do t’i kërkojmë vetëm që të mos mbahen më 2 maj, sepse është një festë fetare”, u shpreh Balla.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat