KreuAktualitetPolitikaVendimi-Skedohen protestuesit e dhunshëm/ Policia mund t’i ndalojë në kufi

Vendimi-Skedohen protestuesit e dhunshëm/ Policia mund t’i ndalojë në kufi

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar në Prokurori ose nën hetim për vepra penale të kryera me dhunë gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve publike. Vendimi i jep Policisë së Shtetit mundësinë të mbajë të dhëna për personat e identifikuar në veprime të dhunshme, ndërsa parashikon edhe mundësinë e refuzimit të daljes së tyre jashtë vendit në rrethana të caktuara.

Vendimi vjen pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama se personat që përfshihen në akte dhune gjatë protestave do të identifikohen dhe regjistrohen nga autoritetet.

Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e personave të identifikuar në materialet që Policia i ka referuar në Prokurori, kur dokumentohen veprime konkrete të dhunshme. Këto veprime duhet të lidhen me vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, përfshirë rastet kur dëmtohet jeta, shëndeti i personave ose prona publike dhe private gjatë manifestimeve.

Policia mund të refuzojë daljen jashtë vendit

Një nga pikat më të rëndësishme të vendimit lidhet me kontrollet kufitare. Sipas tij, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ketë akses të kufizuar në regjistër, për verifikimin e personave dhe zbatimin e masave kufizuese të parashikuara nga ligji.

Vendimi parashikon se, kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë protestave, Policia Kufitare mund të refuzojë administrativisht daljen jashtë vendit edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur një masë sigurimi që e ndalon largimin nga shteti.

Nëse personit nuk i refuzohet dalja, autoritetet kufitare duhet të njoftojnë autoritetet e vendit ku ai do të udhëtojë për faktin se është referuar për veprat penale të parashikuara në vendim.

Të dhënat do të rishikohen brenda 30 ditëve

Regjistri do të përmbajë të dhëna identifikuese dhe procedurale, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, numrin e referimit dhe masat kufizuese në fuqi, nëse ka të tilla. Informacioni do të sigurohet edhe përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe sistemet përkatëse elektronike të Policisë së Shtetit.

Vendimi parashikon gjithashtu që Policia e Shtetit të njoftojë strukturat private të akomodimit për personat ndaj të cilëve ka të dhëna konkrete për përfshirje në veprime të dhunshme dhe për të cilët materialet janë referuar në Prokurori.

Për personat e referuar, nevoja për ruajtjen e të dhënave duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Në rast se Prokuroria kompetente njofton mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes, të dhënat e personit do të fshihen nga regjistri.

Qeveria parashikon mbrojtjen e të dhënave personale

Në vendim përcaktohet se përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave duhet të bëhen në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit dhe proporcionalitetin.

Zbatimi i vendimit u ngarkohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Me krijimin e këtij regjistri, qeveria vendos një mekanizëm të posaçëm për identifikimin dhe gjurmimin e personave të referuar për akte të dhunshme gjatë protestave, me pasoja të mundshme edhe për lëvizjen e tyre jashtë vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat