Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protestat e dhunshme dhe dëmtimi i bizneseve pritet të lënë gjurmë në ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të fundit të vitit. Paralajmërimi vjen nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila gjatë një diskutimi në Komisionin e Ekonomisë pranoi se dhuna gjatë protestave ka ndikuar në aktivitetin e bizneseve dhe do të reflektohet në ritmin e rritjes ekonomike.
Çështja u ngrit nga deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, i cili kërkoi shpjegime për parashikimin e rritjes ekonomike prej 3.9% në buxhetin e vitit të ardhshëm, nga 4% që ishte një vit më parë. Leskaj ironizoi edhe deklaratat për atë që e cilësoi si “mrekullia ekonomike shqiptare”.
“A mund të na shpjegoni ju shprehjen ‘mrekullia ekonomike shqiptare’ që ka thënë lideri juaj global për këtë buxhet, në një kohë kur rritja ekonomike këtu parashikohet 3.9% nga 4% që ka qenë vitin e kaluar?”, pyeti Leskaj.
Në përgjigjen e saj, Ibrahimaj pranoi se protestat e dhunshme kanë sjellë pasoja për aktivitetin ekonomik, duke theksuar se bizneset private po përballen me efektet e tyre.
“Në këtë tremujor, për arsye të protestave të dhunshme, ne kemi pasur një efekt në ekonomi. Protestat qytetare nuk janë të dhunshme dhe nuk dëmtojnë biznesin privat. Për shkak të kësaj, ne do të ndiejmë një ecuri më të ngadaltë të ekonomisë, sepse kemi biznese të tëra të cilat po ndiejnë efektet e dhunës në protesta”, deklaroi ministrja.
Një tjetër temë e diskutuar në Komision ishte indeksimi i pensioneve. Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi rishikimin e formulës aktuale, duke argumentuar se pensionistët me të ardhura më të ulëta përballen me pasoja më të forta nga inflacioni.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh e gatshme të nisë një studim për ndryshimin e mënyrës së indeksimit, duke shqyrtuar mundësinë e një formule të shkallëzuar, në mënyrë që pensionet e ulëta të marrin një mbështetje më të madhe.
“Unë personalisht mund të angazhohem që ta filloj një studim të tillë dhe të shohim pastaj se si është forma më e mirë për ta bërë këtë indeksim, mbase në mënyrë të shkallëzuar, në mënyrë që të ketë një impakt te ato familje që kanë në të vërtetë të ardhura më të ulëta dhe të ketë një impakt më të madh”, u shpreh ajo.
Gjatë diskutimeve, ministrja foli edhe për ndryshimet fiskale, duke garantuar se do të ketë kontrolle në treg pas uljes së TVSH-së në 6%, me qëllim shmangien e abuzimeve me çmimet. Sipas saj, do të monitorohet gjithashtu edhe zbatimi i taksës së qarkullimit.



