Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve në Shqipëri. Sipas vendimit të marrë këtë të martë, 10 nëntor 2026, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 208 lekë për litër, ndërsa benzina me 167 lekë për litër.
Vendimi përcakton se çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën (gazoil) do të jetë 208 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 196 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është caktuar në 167 lekë për litër, ndërsa me shumicë në 155 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 13:45, dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet në tregun e karburanteve.
Në njoftimin e tij, Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të çmimeve të përcaktuara. Për subjektet që konstatohet se shkelin vendimin, parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Bordi i Transparencës e mbështet vendimmarrjen në shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve dhe kuadrin ligjor për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit.



