Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Vijon procesi i largimeve në drejtimin e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për ndryshime në administratë. Lëvizjet e fundit kanë prekur edhe Autoritetin e Aviacionit Civil dhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Maksim Et’hemaj është larguar nga detyra e Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil, post që e mbante që prej nëntorit 2021. Në vend të tij është emëruar Edlira Kraja, e cila figuron tashmë në drejtimin e institucionit.
Ndryshime ka pasur edhe në KESH, ku Viola Haxhiademi është larguar nga posti i administratores. Në vend të saj është emëruar Algert Luzi, i cili merr drejtimin e korporatës përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike në vend.
Andrea Shllaku është emëruar Drejtor i ri i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, duke zëvendësuar në këtë detyrë Liburn Aliun.
Shllaku është prezantuar këtë të martë nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, në prani edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Besian Kadiu, si dhe drejtuesve dhe stafit të Autoritetit Portual.
Ndryshimi në krye të Portit të Durrësit vjen pas largimit të Liburn Aliut, i cili deri në javën e kaluar mbante këtë post. Madje, Aliu ishte ende në detyrë pak ditë më parë, kur prezantoi Autoritetin Portual Durrës në ceremoninë e hapjes së panairit “Klik Ekspo Group”, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Megjithatë, në ceremoninë e prezantimit të pasuesit të tij, Aliu nuk ka qenë i pranishëm. Mungesa e tij ka tërhequr vëmendjen, ndërsa deri tani nuk ka një sqarim publik mbi arsyet e largimit apo nëse bëhet fjalë për një dorëheqje.
Këto largime i shtohen një serie dorëheqjesh dhe ndryshimesh të ndodhura gjatë ditëve të fundit në institucione të ndryshme publike.
Drejtuesit që janë larguar deri tani
Mes emrave për të cilët janë raportuar largime konkrete janë:
- Ergys Verdho – Hekurudha Shqiptare
- Ilir Binaj – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
- Besmir Beja – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
- Jonaid Myzyri – Operatori i Blerjeve të Përqendruara
- Etugert Llazi – Qendra Kombëtare e Biznesit
- Viola Haxhiademi – KESH
- Kreshnik Bajraktari – DPSHTRR
- Valdrin Pjetri – Agjencia e Trajtimit të Pronave
- Risena Xhaja – Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara
- Blerina Gjylameti – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
- Maksim Et’hemaj – Autoriteti i Aviacionit Civil
Procesi i ndryshimeve ka vijuar në disa sektorë, ndërsa për një pjesë të institucioneve ende nuk ka informacion të konfirmuar mbi emrat e pasuesve.



