KreuAktualitetEkonomiaParatë e paligjshme dhe rënia e euros/ Si justifikohet Sejko?

Paratë e paligjshme dhe rënia e euros/ Si justifikohet Sejko?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka komentuar shqetësimet e bizneseve për rënien e euros dhe forcimin e lekut, duke theksuar se kursi i këmbimit përcaktohet nga tregu dhe jo nga Banka Qendrore.

Gjatë konferencës “E ardhmja e ekonomisë”, organizuar nga revista “Monitor”, Sejko sqaroi se Shqipëria operon në një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku vlera e monedhës përcaktohet nga kërkesa dhe oferta për valutë.

Sipas tij, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor nuk synojnë të përcaktojnë një nivel të caktuar të euros apo të favorizojnë sektorë të veçantë të ekonomisë, por të ruajnë stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.

“Ky është një keqkuptim që përsëritet vazhdimisht, madje edhe në diskutimet që kemi zhvilluar me bizneset e mëdha. Kursi i këmbimit përcaktohet nga kërkesa dhe oferta, ndërsa Banka e Shqipërisë publikon kursin mesatar”, deklaroi Sejko.

Guvernatori pranoi se forcimi i lekut krijon pasoja konkrete për bizneset, veçanërisht për eksportuesit, të cilët përballen me humbje nga konvertimi i të ardhurave në euro. Megjithatë, ai theksoi se Banka Qendrore nuk mund ta zgjidhë e vetme këtë problem, pasi mbështetja e drejtpërdrejtë e sektorëve të caktuar është përgjegjësi e politikave fiskale.

Sejko: Nëse ekonomia rritet me 4%, leku do të mbiçmohet

Duke folur për arsyet e forcimit të monedhës vendase, Sejko u ndal te rritja ekonomike dhe hyrjet e mëdha valutore në vend. Sipas tij, nëse ekonomia shqiptare vijon të rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa flukset hyrëse të euros mbeten të larta, tendenca e mbiçmimit të lekut mund të vazhdojë.

“Në një regjim të lirë të kursit të këmbimit, nëse një ekonomi ka një rritje prej 4% në vit, e cila mund të jetë edhe më e lartë, dhe kjo rritje shoqërohet me formalizim dhe me hyrje të mëdha valutore nga burime e kanale të ndryshme, natyrisht që monedha vendase do të mbiçmohet”, u shpreh guvernatori.

Ai shtoi se nuk mund të parashikojë se si do të lëvizë kursi i këmbimit, duke theksuar se një gjë e tillë nuk mund të dihet me siguri nga askush.

“Por unë nuk e di se si do të lëvizë kursi, ashtu siç nuk mund ta dijë askush me siguri. Nëse dikush do ta dinte paraprakisht ecurinë e tij, do të bëhej miliarder, duke vepruar si biznesmen apo analist dhe jo si rregullator”, tha Sejko.

Paratë e paligjshme dhe eurot në treg

Një tjetër çështje e ngritur nga guvernatori ishte ajo e flukseve të parave me origjinë të paligjshme, të cilat shpesh përmenden në debatet për sasinë e madhe të euros në ekonominë shqiptare.

Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë nuk mund t’i masë drejtpërdrejt këto flukse, pasi të dhënat e bilancit të pagesave nuk japin një pasqyrë të tillë.

“Si Bankë Qendrore, ne nuk mund t’i matim drejtpërdrejt këto flukse, pasi bilanci i pagesave na jep të dhëna të tjera. Ato nuk rezultojnë të pastrohen përmes sistemit bankar. Mund të ketë elemente të veçuara, por në përgjithësi sistemi bankar është i mirëkontrolluar dhe i mbikëqyrur”, deklaroi ai.

Guvernatori theksoi se hetimi dhe ndalimi i këtyre flukseve nuk është kompetencë e Bankës Qendrore, por e agjencive të tjera ligjzbatuese.

Banka ndërhyn për të frenuar luhatjet, jo për të shpëtuar eksportuesit

Sejko shpjegoi se Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor për të frenuar spekulimet dhe për të ngadalësuar ritmin e mbiçmimit ose nënçmimit të lekut. Sipas tij, kjo u jep bizneseve më shumë kohë për t’u përshtatur me lëvizjet e kursit dhe për të mbrojtur pozicionet e tyre valutore.

Ai nënvizoi se ndërhyrjet nuk kanë pasur si qëllim mbështetjen e drejtpërdrejtë të eksportuesve apo industrive të caktuara, por kanë ndikuar edhe në ngadalësimin e forcimit të lekut.

Në këtë kontekst, guvernatori u bëri thirrje bizneseve të përdorin më shumë instrumentet financiare për mbrojtjen nga risku valutor, si kontratat forward dhe swap, të cilat sipas tij nuk përdoren sa duhet në Shqipëri.

Ai kërkoi gjithashtu që kompanitë të rishikojnë modelet e tyre të biznesit, të investojnë në teknologji dhe të përmirësojnë mënyrën e menaxhimit të financave.

Në fund, Sejko theksoi se forcimi i lekut nuk është sfida e vetme me të cilën përballen bizneset shqiptare, duke përmendur edhe mungesën e fuqisë punëtore dhe emigracionin si probleme që kërkojnë përshtatje të vazhdueshme të ekonomisë me kushtet e reja të konkurrencës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat