Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një grup studentësh kanë njoftuar krijimin e Lëvizjes Studentore Kombëtare, një organizim që synon të jetë i pavarur dhe të vijojë protestat qytetare, duke kërkuar ndryshime në sistemin politik, arsim cilësor, më shumë mundësi punësimi dhe llogaridhënie nga institucionet.
Në një deklaratë publike, studentët bëjnë të ditur se lëvizja nuk synon të zëvendësojë protestën qytetare, por ta forcojë atë përmes propozimeve konkrete për të ardhmen e vendit dhe të rinjve shqiptarë.
“Lëvizja Studentore Kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj. Si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Studentët rikujtojnë se protestat qytetare nisën më 31 maj 2026, ndërsa më 13 tetor, me pjesëmarrjen e gjimnazistëve dhe studentëve, ato hynë në një fazë të re. Krahas kërkesave për ndryshime politike dhe institucionale, ata kanë ngritur edhe shqetësimin për mënyrën e ndërhyrjes së policisë gjatë tubimeve.
Në këtë kuadër, Lëvizja Studentore Kombëtare kërkon hetim të pavarur dhe transparent për çdo rast të pretenduar të përdorimit joproporcional të forcës ndaj protestuesve.
“Kërkojmë hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent të çdo pretendimi për përdorim joproporcional të forcës, si dhe respektimin e plotë të së drejtës për protestë paqësore”, theksojnë studentët.
Një tjetër çështje që vendoset në qendër të organizimit është largimi i të rinjve nga Shqipëria. Sipas studentëve, vendi duhet të krijojë kushte që të rinjtë të arsimohen, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre pa u detyruar të emigrojnë.
“Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Lëvizja njofton se do të hartojë dhe do të bëjë publike propozime për ndryshime politike dhe institucionale, në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë. Studentët argumentojnë se ndryshimi nuk duhet të kufizohet vetëm te emrat që mbajnë pushtetin, por duhet të prekë edhe rregullat që garantojnë kontrollin e tij dhe mbrojtjen e votës.
“Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien”, shprehen ata.
Një element që studentët e veçojnë është edhe mënyra e organizimit. Lëvizja nuk do të ketë kryetar, ndërsa vendimmarrja synohet të jetë e hapur dhe gjithëpërfshirëse.
“Ky organizim nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni”, thuhet në thirrjen drejtuar studentëve.



