KreuAktualitetBotaNga portet te kufijtë/ Si po e paralizon bllokada amerikane tregtinë e...

Nga portet te kufijtë/ Si po e paralizon bllokada amerikane tregtinë e Iranit

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Një radhë prej 42 kilometrash me rreth 1,200 kamionë është krijuar në një prej korridoreve kryesore tokësore drejt Iranit, duke nxjerrë në pah përmasat e krizës së transportit dhe furnizimit me mallra në vend.

Pamjet e filmuara nga ajri tregojnë qindra kamionë të bllokuar në pikën kufitare Yalama, mes Kazakistanit dhe Uzbekistanit, ndërsa presin të përfundojnë procedurat për të vijuar rrugën drejt Iranit.

Situata është përkeqësuar pas bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, e cila ka detyruar një pjesë të konsiderueshme të tregtisë të zhvendoset nga deti në rrugët tokësore. Fluksi i menjëhershëm ka mbingarkuar infrastrukturën kufitare, duke shkaktuar vonesa që në disa raste zgjasin me ditë.

Amir Roshanbakhsh, nga Organizata e Zhvillimit të Tregtisë së Iranit, ka bërë të ditur se numri i kamionëve në këtë pikë kufitare është rritur nga rreth 200 në 1,200.

Për shoferët, pritjet janë kthyer në një tjetër problem serioz. Mohammadreza Shiri, një drejtues kamioni me 15 vite përvojë, tha se nuk kishte përjetuar më parë një situatë të tillë, duke treguar se kishte qëndruar i bllokuar për pesë ditë.

Katërfishohen kostot e transportit

Kriza nuk po shkakton vetëm vonesa, por edhe një rritje të fortë të kostove për importuesit iranianë. Zhvendosja e transportit nga rrugët detare drejt atyre tokësore ka bërë që çmimi i dërgesave të rritet ndjeshëm.

Majidreza Hariri, kreu i Dhomës së Tregtisë Iran-Kinë, deklaroi se transportimi i një kontejneri, që më parë kushtonte rreth 3 mijë dollarë përmes detit, tashmë arrin në 12 mijë dollarë përmes rrugëve tokësore.

Pasojat po ndihen edhe në furnizimin e tregut. Produkte të ndryshme, veçanërisht ato që prishen shpejt, kanë mbetur të bllokuara në Kinë, pasi distancat e gjata dhe kontrollet kufitare vështirësojnë mbërritjen e tyre në kohë.

Probleme të ngjashme raportohen edhe në pikën kufitare Bazargan, mes Turqisë dhe Iranit, ku pritjet për kalimin e kufirit, sipas shoferëve, mund të zgjasin deri në 24 ditë.

SHBA krijon Task Forcën “Porta e Hekurt”

Ndërsa Irani po përballet me vështirësi në organizimin e transportit dhe furnizimit, Uashingtoni po synon të kufizojë edhe përdorimin e korridoreve tokësore për mallra dhe pajisje strategjike.

Në këtë kuadër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka krijuar Task Forcën “Porta e Hekurt”, një strukturë të posaçme me rreth 20 persona, e ngarkuar me identifikimin dhe pengimin e transportit të sistemeve të armëve, teknologjisë me përdorim të dyfishtë, materialeve të sanksionuara dhe flukseve të paligjshme ekonomike përmes kufijve tokësorë të Iranit dhe Detit Kaspik.

Sipas raportimeve, SHBA po ushtron gjithashtu presion ndaj vendeve fqinje të Iranit për të kufizuar kalimin e mallrave drejt territorit iranian.

Korridoret kryesore të transportit kalojnë përmes Kazakistanit, Uzbekistanit, Turkmenistanit, Pakistanit dhe Turqisë. Megjithatë, infrastruktura e këtyre vendeve po has vështirësi për të përballuar fluksin e shtuar.

Inflacioni arrin në 84%, rrezikohet furnizimi me ushqime dhe ilaçe

Përtej krizës së transportit, presioni i bllokadës po rëndon edhe më shumë ekonominë iraniane. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Iranit, inflacioni vjetor në zonat urbane ka arritur në rreth 84%, duke shënuar rritje për të 18-in muaj radhazi.

Rritja e çmimeve të produkteve bazë ka detyruar autoritetet të pezullojnë eksportet e domateve, qepëve dhe patateve, në përpjekje për të garantuar furnizimin e tregut vendas.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka pranuar se bllokada ka rritur ndjeshëm kostot e importeve dhe ka kufizuar të ardhurat e vendit nga eksportet e naftës.

Sipas tij, mallrat që më parë mbërrinin përmes transportit detar tani duhet të përshkojnë distanca të gjata tokësore, duke rritur koston përfundimtare për konsumatorët. Njëkohësisht, Irani po has vështirësi në shitjen e naftës dhe sigurimin e të ardhurave.

Shqetësimet janë shtuar edhe për sektorin e shëndetësisë. Ministri iranian i Shëndetësisë, Mohammad Reza Zafarmadi, deklaroi se lëndët e para për prodhimin e ilaçeve, të cilat më parë transportoheshin me anije, tashmë po dërgohen me avion, duke rritur ndjeshëm kostot e prodhimit farmaceutik.

Situata rëndohet edhe nga dëmet e shkaktuara gjatë luftës. Sipas autoriteteve iraniane, janë goditur 16 fabrika farmaceutike dhe më shumë se 70 spitale.

Bllokada detare amerikane po krijon kështu një efekt zinxhir në ekonominë iraniane: mijëra kamionë të bllokuar në kufij, kosto shumëfish më të larta transporti dhe vështirësi në furnizimin me ushqime, ilaçe dhe mallra të domosdoshme. Një krizë që po e zhvendos presionin nga portet drejt kufijve tokësorë dhe po e bën gjithnjë e më të kushtueshme tregtinë me Iranin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat