KreuAktualitet“Ritëm mbresëlënës drejt BE-së”/ Von der Leyen vlerëson Shqipërinë, paralajmëron 338 milionë...

“Ritëm mbresëlënës drejt BE-së”/ Von der Leyen vlerëson Shqipërinë, paralajmëron 338 milionë euro

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar ritmin e vendit drejt anëtarësimit si mbresëlënës.

Gjatë fjalës së saj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Europian është një domosdoshmëri strategjike, në një kohë kur zhvillimet ndërkombëtare kërkojnë një Europë më të bashkuar dhe më të fortë.

Ajo veçoi Shqipërinë dhe Malin e Zi për progresin në negociatat e anëtarësimit, duke theksuar se të dyja vendet kanë marrë udhërrëfyes të qartë për reformat dhe hapat që duhet të ndërmarrin në vijim.

“Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës”, u shpreh presidentja e Komisionit Europian, ndërsa shtoi se Bashkimi Europian synon të shfrytëzojë momentin aktual për të përshpejtuar procesin e zgjerimit. Sipas saj, gjatë këtij viti synohet hapja dhe mbyllja e më shumë se 100 kapitujve në negociatat me vendet kandidate.

Von der Leyen nënvizoi se afrimi me BE-në nuk duhet të presë deri në anëtarësimin e plotë, duke përmendur Planin e Rritjes dhe integrimin gradual në tregun e përbashkët europian si mekanizma që u japin vendeve të rajonit përfitime konkrete që në fazën e negociatave.

Një prej zhvillimeve të përmendura ishte përfshirja e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA, Zona e Vetme e Pagesave në Euro, e cila mundëson transferta më të shpejta dhe me kosto më të ulëta.

Ajo foli gjithashtu për nismën “Roam Like at Home”, për të cilën negociatat kanë nisur muajin e kaluar me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Kjo nismë synon të lehtësojë komunikimin telefonik mes vendeve pjesëmarrëse, duke ulur kostot e roaming-ut.

Një tjetër element i rëndësishëm i fjalës së saj ishte zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave të prezantuara nga Von der Leyen, përmbushja e hapave të reformave nga partnerët e rajonit është rritur nga 38% një vit më parë në 63% aktualisht.

Ky progres pritet të mundësojë çlirimin e 338 milionë eurove të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve në vijim.

Presidentja e Komisionit Europian bëri të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm do të nisin dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të identifikuar mundësi të reja për përfshirjen e tyre në tregun e vetëm europian.

Në përfundim, Von der Leyen theksoi se suksesi i zgjerimit nuk do të matet vetëm me negociatat politike, por edhe me ndryshimet konkrete në jetën e qytetarëve, përmes më shumë mundësive për të rinjtë, zhvillimit të bizneseve dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat