KreuAktualitetPolitikaPërplasja me Ramën/ Spiropali: Pse nuk hapet gara për kryetar të PS-së?

Përplasja me Ramën/ Spiropali: Pse nuk hapet gara për kryetar të PS-së?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Elisa Spiropali ka kërkuar hapjen e garës për kryetarin e Partisë Socialiste, duke sfiduar drejtimin aktual të partisë pas 17 vitesh pa konkurrencë për këtë post.

Në një konferencë për mediat, pas përjashtimit nga grupi parlamentar socialist, Spiropali deklaroi se Partia Socialiste nuk duhet të ketë kryetarë të përjetshëm dhe se kushdo që dëshiron të marrë drejtimin e forcës politike duhet të ketë mundësinë të kandidojë.

Ajo e lidhi kërkesën e saj edhe me diskutimet për popullaritetin brenda partisë, duke propozuar që konkurrenca të mos mbetet vetëm në deklarata, por të shndërrohet në një garë të hapur.

“Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti, atëherë unë kam një propozim shumë të thjeshtë: të hapet gara në Partinë Socialiste pas 17 vjetësh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado ta duam, sado i mirë të jetë, sado të ketë bërë për vendin”, u shpreh Spiropali.

Ish-kryetarja e Kuvendit kritikoi gjithashtu mënyrën se si po interpretohet statuti i PS-së nga drejtuesit e partisë. Sipas saj, rregullat nuk mund të zbatohen në mënyrë selektive, vetëm kur u shërbejnë interesave të caktuara.

“Statuti nuk është Bibël. Ata që sot e kanë hequr statutin nga faqet e Partisë Socialiste, sepse nuk duan të dalë aty që kryetari i Kuvendit është anëtar i përhershëm ex officio i Asamblesë Kombëtare, flasin sot për statut. Për çfarë statuti atëherë? Rregullat duhet të jenë të përbashkëta”, deklaroi ajo.

Spiropali rikujtoi edhe angazhimin e saj ndër vite në strukturat e Partisë Socialiste, duke përmendur drejtimin politik në Tiranë, Kukës dhe Shkodër, si dhe funksionet që ka mbajtur në qeveri dhe në Kuvend.

Ajo tha se nuk ka asnjë problem edhe nëse karriera e saj politike përfundon, ndërsa theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Socialiste, së cilës i detyrohet për postet që ka mbajtur.

“Unë nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike. Sigurisht që i detyrohem gjithmonë forcës sime politike. Jam bërë ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, ministre e Jashtme, kryetare e Kuvendit, falë kësaj force politike”, tha ajo.

Në fund, Spiropali e përsëriti sfidën për hapjen e garës, duke vënë në pikëpyetje idenë se në krye të partisë mund të qëndrojë vetëm një person.

“Meqë qenka garë popullariteti, hapet gara në Partinë Socialiste pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë mund të garojnë për kreun e Partisë Socialiste. Pse? Kush është i pazëvendësueshëm?”, u shpreh ajo.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat