KreuDrejtësiaGJKKO mbyll fraksionin e dosjes “Veliaj”/ Sa vite burg morën bashkëpunëtorët e...

GJKKO mbyll fraksionin e dosjes “Veliaj”/ Sa vite burg morën bashkëpunëtorët e kryebashkiakut të Tiranës?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë këtë të enjte vendimin për tetë të pandehurit në një fraksion të dosjes “Veliaj”, i cili u nda për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Biznesmeni Elman Abule është dënuar me 7 vite burg për pastrim parash më shumë se një herë, në bashkëpunim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij reduktohet në 4 vite e 8 muaj burg. Sipas akuzës së SPAK, përmes kompanisë së tij “Rametal” janë qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën.

Në të njëjtën çështje, gjykata ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Fatmir Bektashi, duke i hequr edhe masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Ina Goxhaj është shpallur fajtore për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Ajo është dënuar me 7 vite burg, dënim që pas reduktimit nga gjykimi i shkurtuar shkon në 4 vite e 8 muaj. GJKKO ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e saj në shërbim prove për 5 vite.

Ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka është shpallur fajtore dhe dënuar me 200 mijë lekë gjobë, ndërsa Adela Kondakçiu është shpallur fajtore për pastrim parash. Ajo u dënua me 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj, por u përjashtua nga vuajtja e dënimit si bashkëpunëtore e drejtësisë.

Edhe Fatjon Baçi është shpallur fajtor. Ai u dënua me 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj, ndërsa gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e tij në shërbim prove për 4 vite.

Ndërkohë, Flutura Xhani është shpallur e pafajshme, ndërsa Frosina Bollo është dënuar me 1 vit burg, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj. Edhe për të është vendosur kalimi në shërbim prove.

Dënimet për kompanitë

Vendimi i GJKKO-së përfshin edhe tre subjekte juridike të përfshira në këtë fraksion të dosjes.

Shoqëria “Rametal” është dënuar me 18 milionë lekë gjobë, e cila me gjykim të shkurtuar reduktohet në 12 milionë lekë. Gjoba duhet të paguhet brenda 6 muajve.

Për shoqërinë “Kontakt” është dhënë pafajësi, ndërsa OJF-ja “Frobokus” është dënuar me 500 mijë lekë gjobë, e reduktuar në 340 mijë lekë.

Çfarë kishte kërkuar SPAK?

Në pretencën e tij, SPAK kishte kërkuar dënime me burg, gjoba dhe kalim në shërbim prove për të pandehurit, por kërkesat e prokurorisë nuk janë pranuar plotësisht nga gjykata.

Për Elman Abulen, prokuroria kishte kërkuar 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar bëheshin 4 vite e 8 muaj. Për Fatmir Bektashin ishte kërkuar 1 vit burg, i konvertuar në 8 muaj punë me interes publik.

SPAK kishte kërkuar për Ina Goxhajn 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj, me pezullim të ekzekutimit dhe 5 vite shërbim prove. Për Klotilda Bushkën ishte kërkuar gjobë prej 600 mijë lekësh, e reduktuar në 400 mijë lekë, ndërsa GJKKO e dënoi me 200 mijë lekë.

Për Adela Kondakçiun, prokuroria kishte kërkuar 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj, dhe përjashtimin nga vuajtja e dënimit. Për Fatjon Baçin ishte kërkuar 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj, me pezullim dhe kalim në shërbim prove.

SPAK kishte kërkuar gjithashtu 60 mijë lekë gjobë për Flutura Xhanin, të reduktuara në 40 mijë lekë, si dhe 1 vit burg për Frosina Bollon, të reduktuar në 8 muaj dhe të konvertuar në shërbim prove.

Për subjektet tregtare, prokuroria kishte kërkuar 18 milionë lekë gjobë për “Rametal”, 800 mijë lekë për “Kontakt” dhe 500 mijë lekë për OJF-në “Frobokus”.

Vendimi i sotëm lidhet me fraksionin e dosjes së SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili u nda për gjykim të shkurtuar dhe përfshinte tetë të pandehur dhe tri subjekte tregtare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat