Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK), Skerdi Tushi, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për identifikimin e praktikave korruptive dhe referimin e rasteve të dyshuara pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria e Posaçme, e cila sqaron se marrëveshja synon të forcojë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin mes institucioneve, në mënyrë që rastet ku evidentohen dyshime për vepra penale të mos mbeten vetëm në nivelin e verifikimeve administrative.
Dokumenti është nënshkruar në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe parashikon mekanizma konkretë për referimin në kohë të rasteve kur kontrollet dhe verifikimet administrative evidentojnë indicie për vepra penale që janë në kompetencën e SPAK.
Në këtë mënyrë, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit do të ketë një mekanizëm bashkëpunimi për përcjelljen e informacionit të evidentuar gjatë veprimtarisë së saj, ndërsa BKH-ja do të jetë pjesë e koordinimit në kuadër të funksioneve të saj hetimore.
Sipas SPAK, marrëveshja synon gjithashtu t’u përgjigjet rekomandimeve të Komisionit Evropian për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe organeve ligjzbatuese.
Prokuroria e Posaçme e cilëson këtë marrëveshje si një hap drejt krijimit të një qasjeje më të koordinuar, ku parandalimi, identifikimi dhe ndjekja penale e korrupsionit lidhen përmes shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit institucional.
“Një hap konkret drejt konsolidimit të një qasjeje të integruar në luftën kundër korrupsionit, ku parandalimi, identifikimi dhe ndjekja penale ndërlidhen përmes mekanizmave efektivë të bashkëpunimit, duke respektuar kompetencat dhe pavarësinë funksionale të secilit institucion”, thuhet në njoftimin e SPAK.



