Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka komentuar protestat dhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët në Shqipëri, duke bërë një dallim mes çështjeve që lidhen me zhvillimet e brendshme politike dhe atyre që prekin drejtpërdrejt procesin e integrimit evropian.
Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, me gazetaren Mirela Milori, Kos u shpreh se Komisioni Evropian nuk mban anë në debatet e brendshme politike të Shqipërisë. Sipas saj, çështjet që lidhen me politikën e brendshme duhet të zgjidhen përmes dialogut në vend, ndërsa shqetësimet për mjedisin janë pjesë e drejtpërdrejtë e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Komisionerja u ndal veçanërisht te legjislacioni mjedisor dhe Kapitulli 27, duke theksuar se Brukseli pret nga qeveria shqiptare ndryshimin e amendamenteve të miratuara në vitin 2024, si dhe hartimin e një ligji të ri për investimet strategjike.
“Komisioni Evropian nuk mban anë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Për ne, e rëndësishme është respektimi i standardeve evropiane në procesin e anëtarësimit.
Disa nga çështjet e ngritura nga protestuesit janë të natyrës së brendshme dhe nuk lidhen me rrugën evropiane. Ato kërkojnë dialog politik këtu, në Shqipëri. Ndërsa disa çështje të tjera, si për shembull legjislacioni mjedisor, lidhen drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit.
Në kuadër të këtij procesi, veçanërisht sa i përket mjedisit, Kapitullit 27, ne presim që qeveria të ndryshojë amendamentet e vitit 2024 dhe të hartojë gjithashtu një ligj të ri për investimet strategjike”, deklaroi Kos.



