Puna për përmbushjen e objektivit të Shqipërisë për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027 vijon, ndërsa institucionet po përshpejtojnë përgatitjet për përafrimin e legjislacionit dhe sistemeve me standardet europiane.
Zv.ministri i Financave, Endrit Yzeiraj, ka bërë të ditur se puna për kapitujt 16 dhe 29, që lidhen me tatimet dhe bashkimin doganor, po vijon sipas ritmeve të parashikuara.
Sipas Yzeirajt, synimi është që të dy kapitujt të mbyllen gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa paralelisht po punohet edhe për kapitujt e tjerë të negociatave.
“Të dy këto kapituj synojmë t’i mbyllim gjatë vitit që vjen, por kjo tregon se puna jo vetëm që nuk është ndalur, por po vazhdon me ritëm gjithmonë e më të shpejtë, jashtëzakonisht shumë dinamike dhe voluminoze, për mbylljen e kapitujve të tjerë”, u shpreh zv.ministri.
Një pjesë e rëndësishme e procesit lidhet me përafrimin e sistemit tatimor dhe doganor shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Sipas Yzeirajt, vetëm në kuadër të kapitujve 16 dhe 29 janë përgatitur draftet e para për më shumë se 20 projektligje, ndërsa po punohet edhe për ndërtimin e rreth 50 sistemeve elektronike dhe digjitale që do të mundësojnë shkëmbimin e të dhënave me Komisionin Europian.
“Vetëm për dy prej kapitujve që mbulojmë, kapitullin 16 dhe 29, doganat janë planifikuar dhe janë kryer tashmë draftet e para për më shumë se 20 projektligje dhe po punohet për ndërtimin e 50 sistemeve elektronike dhe dixhitale për transmetimin e të dhënave me Komisionin Evropian”, tha ai.
Megjithatë, procesi i integrimit nuk përfundon vetëm me miratimin e ligjeve të reja. Shqipëria duhet të sigurojë që ndryshimet e miratuara të zbatohen në praktikë dhe që sistemet e reja të jenë funksionale në momentin kur kapitujt të konsiderohen të gatshëm për mbyllje.
Harmonizimi i administrimit tatimor dhe doganor me standardet e BE-së kërkon, përveç ndryshimeve ligjore, edhe ngritjen dhe funksionimin e plotë të sistemeve teknike dhe elektronike.
Objektivi i qeverisë mbetet mbyllja e të gjithë kapitujve të negociatave deri në vitin 2027, ndërsa përmbushja e këtij afati do të varet nga ritmi i reformave dhe nga vlerësimi i institucioneve europiane për progresin e Shqipërisë në secilën fushë.



