Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës në Danimarkë (PET) ka paralajmëruar për një rrezik në rritje nga operacionet ruse të sabotimit në territorin danez, me industrinë e mbrojtjes në fokus.
Sipas autoriteteve daneze, shërbimet ruse të inteligjencës po përdorin rrjete sociale për të rekrutuar qytetarë të zakonshëm, të cilëve u ofrohen pagesa për të kryer detyra të caktuara.
Një prej metodave të përdorura është fotografimi i objekteve dhe zonave me rëndësi strategjike. Këto materiale mund të përdoren më pas për të mbledhur informacion dhe për të planifikuar operacione sabotimi.
Zyrtarët danezë të kundërzbulimit paralajmërojnë se kërcënimi nuk bëhet më fjalë për skenarë të largët, por për një rrezik konkret që kërkon vëmendje të shtuar.
Paralajmërimi vjen në një periudhë tensionesh të larta në Evropë dhe shqetësimesh në rritje për aktivitetet hibride të Rusisë ndaj vendeve europiane.
Pak ditë më parë, vendet e Bashkimit Europian diskutuan edhe mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Moskës, pas një incidenti në Gjermani me një dron të mbushur me eksploziv. Zyrtarë të lartë europianë e kanë cilësuar incidentin si një akt të dyshuar të “terrorizmit të sponsorizuar nga shteti”.
Danimarka është ndër vendet europiane që ka mbështetur më fort Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022. Kopenhageni ka dhënë miliarda euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke e bërë vendin një prej mbështetësve kryesorë të Kievit në Evropë.
Në këtë kontekst, autoritetet daneze e konsiderojnë kërcënimin nga operacionet hibride ruse si një çështje të sigurisë kombëtare.



