Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje biznesmenin Alban Eftimi, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj Belinda Ballukut.
Eftimi, biznesmen i kompanisë “Atelier 4”, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e SPAK-ut, ku ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve.
Marrja në pyetje e biznesmenit vjen pas kontrolleve të kryera në fund të muajit korrik në ambientet e kompanisë “Atelier 4”. Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan dokumente dhe materiale të ndryshme, të cilat tashmë po shqyrtohen në kuadër të hetimit.
Sipas informacioneve, materialet e sekuestruara dyshohet se kanë lidhje me arredimin e një vile luksoze në jug të vendit. Dokumentet po verifikohen nga prokurorët dhe po krahasohen me të dhëna e prova të tjera të administruara gjatë hetimit.
Në qendër të verifikimeve është një vilë në Dhërmi, e cila është sekuestruar më herët nga autoritetet. Hetuesit po verifikojnë dyshimet nëse prona përbën pasuri të padeklaruar dhe nëse ka lidhje me Belinda Ballukun.
Hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministres përfshin dyshime për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa SPAK po verifikon edhe rrethana të tjera që lidhen me pasuritë dhe aktivitetet e saj.
Ndërkohë, Belinda Balluku është e pandehur edhe në një çështje tjetër penale, ku akuzohet për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike. Kjo dosje lidhet me procedurat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës.



