Drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi foli për goditjet që po jep SPAK në të dy kampet e politikës shqiptare.
Për Peleshin, nuk bëhet fjalë për një drejtësi me regji, pasi institucionet e reja të drejtësisë po godasin dhe majtas dhe djathtas.
Në lidhje me zyrtarët e lartë të PS që sot po përballen me procese gjyqësore për akuza të rënda korrupsioni, Peleshi u shpreh se forca ku ai aderon ka zgjedhur të mos mbrojë askënd që ka problem me drejtësinë.
“Nuk jemi mirë kur nuk kemi një opozitë të fortë. Ne nuk mund të japim llogari për ngjarjet në fushën e opozitës.
Nuk mund të ketë regji politike që godet brenda vetes. Ka ish- kolegë të mi që sot kanë procese serioze në SPAK, shpresoj të jenë të pafajshëm. Kjo është një histori drejtësie, faktesh..
Unë do të uroja që të ketë sa më pak fajtor… Lajmet që vijnë nga drejtësia, nuk mund të jenë të bukura. Lajmi i mirë është që nuk ka pandëshkueshmëri.
Qëndrimi i PS është i dhimbshëm por i drejtë. Kush ka probleme me drejtësinë duhet të përballet. Nuk jemi në rastet kur goditet vetëm kundërshtari.
PS ka mbi 100 mijë anëtarë dhe nuk mund t’i bëjmë test të gjithëve. Nuk ekziston një kontroll moral për të shkuarën dhe për të ardhmen. Nuk mund të vesh dorën në zjarr sesi ai do të sillet nesër”, tha Peleshi.