back to top
26.5 C
Tirana
E shtunë, 30 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetKuvendi Kombëtar i PD/ Avatari i Skënderbeut ironizon Ramën dhe Diellën

Kuvendi Kombëtar i PD/ Avatari i Skënderbeut ironizon Ramën dhe Diellën

Punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike nisën me shfaqjen e një videoje të krijuar me inteligjencë artificiale, ku protagonist ishte një avatar i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Përmes videos, Partia Demokratike përdori figurën e Skënderbeut për të ironizuar kryeministrin Edi Rama dhe disa deklarata të mëparshme politike, përfshirë cilësimin e bërë vite më parë nga Elisa Spiropali, e cila e kishte quajtur Ramën “Skënderbeu i shqiptarëve”.

Në mesazhin e transmetuar në sallë, avatari prezantohej si një krijim i Departamentit të Inteligjencës Artificiale të Partisë Demokratike dhe bënte krahasime me “Diellën”, avatarin e prezantuar më herët nga qeveria.

“Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar 4 milionë euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro”, thuhej në videon e transmetuar gjatë hapjes së Kuvendit.

Në video nuk munguan as mesazhet politike dhe ironitë ndaj qeverisë. Mes të tjerash, avatari deklaronte se “Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë”, ndërsa në fund uroi mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit Kombëtar të demokratëve.

“Le të jetë kjo besëlidhje, jo vetëm e ripërtëritjes, por edhe e anti-vjedhjes”, ishte mesazhi përmbyllës i videos.

Përdorimi i inteligjencës artificiale në hapjen e forumit më të lartë të Partisë Demokratike shënoi një element të pazakontë në nisjen e punimeve, duke e kthyer videon në një nga momentet më të komentuara të aktivitetit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat