Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Qeveria ka propozuar krijimin e “Dritares së Vetme Kombëtare” për Doganat, një platformë elektronike që synon të bashkojë në një sistem të vetëm procedurat doganore dhe ato jodoganore, me qëllim lehtësimin e formaliteteve për bizneset që kryejnë veprimtari importi dhe eksporti.
Sipas propozimit, bizneset do të kenë një pikë të vetme kontakti për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke shmangur paraqitjen pranë institucioneve të ndryshme për përmbushjen e procedurave.
Platforma do të mundësojë gjithashtu verifikimin automatik të lejeve, licencave dhe autorizimeve nga institucionet përgjegjëse, ndërsa operatorët ekonomikë do të kenë mundësi të dorëzojnë një grup të integruar të dhënash.
Në këtë sistem do të përfshihen deklaratat doganore dhe dokumentacioni që kërkohet për përmbushjen e formaliteteve të tjera, të lidhura me procesin e importit dhe eksportit.
Sipas vendimit të propozuar, autoriteti përgjegjës për funksionimin e Dritares së Vetme Kombëtare do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të jetë përgjegjëse për administrimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës teknike të platformës.
Nisma synon të reduktojë procedurat administrative dhe kohën e nevojshme për përpunimin e dokumentacionit, duke centralizuar komunikimin mes bizneseve dhe institucioneve shtetërore në një sistem të vetëm elektronik.



