Kreu i SPAK, Klodian Braho, u përball me pyetjet dhe kritikat e deputetëve të opozitës gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku në fokus ishte puna e Prokurorisë së Posaçme gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe rezultatet e task-forcës së ngritur për goditjen e krimeve zgjedhore.
Gjatë seancës, deputetët kërkuan shpjegime mbi fatin e denoncimeve të bëra për korrupsion elektoral, duke ngritur shqetësimin se në disa raste nuk ka pasur zhvillime konkrete hetimore.
Nga ana e tij, Braho sqaroi se një pjesë e denoncimeve nuk janë shoqëruar me prova të mjaftueshme ose nuk kanë qenë në kompetencën e SPAK, duke theksuar se hetimet nuk mund të bazohen mbi perceptime apo pretendime të pakonfirmuara.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të Partisë Demokratike, mes tyre edhe ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, kreu i SPAK solli një shembull për të ilustruar standardin ligjor që ndiqet nga prokuroria.
“Ju keni punuar vetë gjyqtar dhe mendoj se keni qenë gjyqtar i zoti. Nëse unë do të vija në seancën tuaj dhe të thoja që kam dëgjuar se flitet që janë paguar 600 mijë euro për zgjedhje në këtë qark, do ta pranonit si provë për të akuzuar dikë tjetër?”, iu drejtua Braho deputetit demokrat.
Ai theksoi se, pavarësisht perceptimeve që mund të ekzistojnë në publik, prokuroria nuk mund të ndërmarrë veprime pa prova konkrete.
“Sigurisht, flitet, mund të ketë perceptime, opinione, por vendimmarrja e prokurorisë duhet të bazohet aty ku ekzistojnë provat. Ne e kemi kuptuar që një perceptim i tillë ka dhe pritshmëri shumë të larta për SPAK, por hetimet nisin aty ku janë provat”, deklaroi Braho.
Kreu i SPAK ritheksoi se standardi i vetëm mbi të cilin mbështetet institucioni është prova ligjore, duke nënvizuar se as perceptimet publike dhe as deklaratat politike nuk mund të zëvendësojnë faktet në një proces penal.



