Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale mes ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe deputetit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso.
Debati nisi teksa Manja po merrte fjalën, ndërsa, Kaso e ndërpreu disa herë gjatë fjalës së tij. Kjo solli reagimin e ashpër të ish ministrit, i cili iu drejtua deputetit demokrat me fjalët: “Mbylle gojën, o legen”.
Në fjalën e tij, Manja kujtoi se Prokurori i Përgjithshëm kishte raportuar një javë më parë në komisionin përgjegjës parlamentar dhe se drejtuesi i SPAK-ut do të raportojë më 3 korrik për luftën kundër kriminalitetit.
“Shoh rendin e ditës këtu, seancë dëgjimore. Tani, që të kthehet në normalitet mbledhja, Prokurori ka raportuar mbi veprimtarinë e tij në komisionin përgjegjës javën e kaluar. Aty u trajtuan të gjitha këto gjëra. Edhe drejtuesi i SPAK-ut do të vijë në datën 3 korrik të raportojë mbi gjendjen e luftës kundër kriminalitetit. Këtu unë mendoj, zoti Gjiknuri dhe zoti Bylykbashi, se i keni thirrur të japin ndonjë rekomandim për punën”, tha Manja.
Në sallë pati ndërhyrje nga deputetët, ndërsa u dëgjua shprehja: “Gjithçka është në rregull”, çka solli reagimin e menjëhershëm të ministrit.
“Prit ta mbaroj unë. Secili është i lirë këtu. A ka mundësi, procedura? A ka mundësi, zoti Gjiknuri dhe zoti Bylykbashi, t’u referoheni saktë rendit të ditës? Do t’ju kërkoja t’i përmbaheni rendit të ditës. Mbylle gojën, o legen. Mbylle gojën, se të kam dëgjuar fort. A ka mundësi? Sepse vijmë këtu dhe bëjmë gjyqe”, u shpreh Manja.
Pas përplasjes, ndërhyri bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, i cili sqaroi objektin e mbledhjes dhe kërkoi që diskutimi të vijonte normalisht.
“I kemi thirrur këtu për çështjet e krimeve zgjedhore. A doni ta kthejmë në një seancë produktive, t’i dëgjojmë?”, tha Gjiknuri.
Debati mes Manjës dhe Kasos tensionoi atmosferën në komision, ndërsa mbledhja vijoi më pas me dëgjimin e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë për çështjet që lidhen me krimet zgjedhore.



