Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Pas arrestimit të bashkëshortes së tij, ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare, Filiali Durrës, Elisabeta Mataj, është arrestuar edhe bashkëshorti i saj, Feta Mataj.
44-vjeçari është arrestuar nga Policia e Durrësit pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Feta Mataj ishte emëruar pak ditë më parë në detyrën e zëvendësdrejtorit të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës.
Sipas njoftimit të Policisë, ai dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Në kuadër të hetimeve, sipas raportimeve mediatike, një punonjëse e Postës ka deklaruar se Feta Mataj u kërkonte punonjëseve shumën prej 25 mijë lekësh çdo muaj.
Në anën tjetër, bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi” dhe po hetohet lidhur me dyshimet për përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Policia bën me dije se materialet procedurale për Feta Matajn i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë.



