KreuOpinion dhe AnalizëKur trupi bëhet CV/ Seks për punë, role, kontrata dhe karrige

Kur trupi bëhet CV/ Seks për punë, role, kontrata dhe karrige

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Skandalet seksuale që shpërthejnë herë pas here në botën e artit kanë një të përbashkët Për disa ditë flasim shumë, publikojmë rrëfime, deklarata dhe akuza, pastaj gjithçka shuhet. Emrat mbeten në tituj dhe fenomeni mbetet aty.

Dhe fenomeni është shumë më i madh se një skandal artistësh.

Skandali i fundit me videot intime të personazheve të njohur të artit dhe muzikës nuk është thjesht një histori për materiale private që përfundojnë në internet. Policia e Tiranës ka nisur hetimet për publikimin dhe shpërndarjen e tyre dhe materialet janë referuar në Prokurori për disa vepra penale që lidhen me ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike dhe jetën private.

Por, pas zhurmës së videove është një histori tjetër që shoqëria shqiptare e njeh prej kohësh, e pëshpërit shpesh dhe e denoncon sa herë del në sipërfaqe.

Seksi si monedhë për një mundësi

Seksi në këmbim të një vendi pune. Seksi për një rol. Seksi për një kontratë. Seksi për një promovim. Seksi për një karrierë. Seksi për të hyrë në një rreth ku vendosen fatet profesionale.

Ky fenomen nuk i përket vetëm artit. Mund të shfaqet në biznes, në media, në administratë, në institucione dhe në politikë. Në çdo mjedis ku një person ka pushtetin për të hapur ose mbyllur një derë profesionale.

Nuk është vetëm çështje morali

Problemi nuk është nëse dy njerëz kanë një marrëdhënie. As nëse një artiste ka lidhje me një producent.

As nëse një politikane, biznesmene apo punonjëse ka një marrëdhënie personale me dikë që njeh në punë. Këto janë çështje private.

Problemi fillon në momentin kur marrëdhënia seksuale vendoset si çmim për një të drejtë profesionale që duhet të fitohet me punë.

Aty ndryshon gjithçka. Sepse një person që kontrollon një rol, një kontratë, një vend pune, një emërim apo një mundësi karriere nuk është thjesht një partner i mundshëm.

Është dikush që ka pushtet mbi të ardhmen profesionale të tjetrit.

Kjo është arsyeja pse debati nuk duhet të ngelet te pyetja se kush doli në video, kush me kë ka pasur marrëdhënie apo kush çfarë ka bërë në jetën private.

Se, kjo nuk është vetëm histori arti. Në biznes mund të jetë një kontratë. Në një kompani mund të jetë një vend pune ose një ngritje në detyrë.

Në media mund të jetë një mundësi profesionale. Në administratë mund të jetë një pozicion. Në politikë mund të jetë një vend në listë, një funksion politik, një post në administratë, një emërim apo një derë që hapet drejt karrierës.

Trupi si “CV” alternative

Kjo është pjesa më e errët e fenomenit. Nëse një njeri mund të ketë diplomë, eksperiencë, talent dhe aftësi, por përsëri i duhet të ofrojë trupin për të kaluar një derë, atëherë problemi nuk është më individual.

Është deformuar vetë ideja e meritës. CV-ja bëhet e parëndësishme. Talentit i vihet një çmim tjetër. Puna zëvendësohet nga favori dhe trupi shndërrohet në një lloj “CV-je alternative”.

Kjo mund të ndodhë në art, biznes, media, administratë apo politikë.

Nga trupi te pushteti

Kjo është arsyeja pse skandali i fundit nuk duhet të përfundojë te videot. As te kurioziteti për jetën private të personazheve. As te gjykimi moral i viktimave.

Por, duhet të na çojë te një pyetje shumë më e madhe. Çfarë ndodh kur trupi bëhet monedhë shkëmbimi për një mundësi që duhet të fitohet me meritë?

Sepse, nëse një shoqëri nuk e mat këtë fenomen, ajo mund të vazhdojë të prodhojë pafund skandale pa e kuptuar kurrë përmasën e problemit.

Dhe në fund, mund të ndodhë diçka edhe më e keqe. Të mësohemi me idenë se për të ecur përpara nuk mjafton më talenti, puna apo aftësia.

Se duhet edhe një “favor”. Se duhet njohja e duhur. Se duhet njeriu i duhur. Dhe, në rastin më të rëndë, se duhet edhe trupi.

Kur kjo ndodh, nuk kemi më thjesht një skandal seksual. Kemi një sistem ku pushteti vendos çmimin e karrierës.

Prandaj ju lutem, mos e mbuloni fenomenin, mos e ngatërroni me privatësinë, mbroni viktimat por mos e normalizoni si një gjë normale.

E Vërteta.al (E.S)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat