Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për një prej fraksioneve të dosjes së inceneratorit të Tiranës dhe i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesën për kalimin në gjyq të 10 të pandehurve.
Në listën e të pandehurve janë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Dashamir Ymeraj, Arjola Kodra, Denisa Tollkucci, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renato Nallbani, Giuseppe Ciaffaglione dhe Marc Richard Lappat.
SPAK u atribuon atyre veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si edhe akuzat për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar se dëmi i shkaktuar nga abuzimet e dyshuara arrin në rreth 30 milionë euro.
Të pandehurit janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë të lëshuara nga SPAK në qershor të vitit 2024 nuk u ekzekutuan nga policia, e cila nuk arriti të lokalizonte asnjërin prej tyre.
Ky hetim përbën një prej fraksioneve të hetimit për inceneratorin e Tiranës, ndërsa Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për fraksionin tjetër të çështjes, ku janë përfshirë edhe persona të tjerë nën hetim.



