Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Flamuri kuqezi është bërë pjesë e uniformës dhe mjeteve të Policisë së Shtetit gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë. Simboli kombëtar është vendosur në parzmoret e efektivëve, në patrullat dhe automjetet e policisë, duke tërhequr vëmendjen gjatë masave të sigurisë për protestën.
Për mbarëvajtjen e tubimit janë angazhuar rreth 2 mijë efektivë, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë dislokuar pranë institucioneve kryesore. Në terren janë vendosur gjithashtu forcat Shqiponja, Policia Rrugore dhe efektivë të rendit.
Policia ka vënë në gatishmëri tetë autobotë me ujë, dronë dhe kamera me rezolucion të lartë për monitorimin e situatës dhe identifikimin e protestuesve. Efektivët janë pajisur me spraj piperi dhe gaz lotsjellës, ndërsa përdorimi i plumbave të gomës parashikohet në rast të përshkallëzimit të situatës.
Kontrolle të shtuara janë ushtruar edhe në pikat kufitare me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ku sipas informacioneve të raportuara, disa persona nuk janë lejuar të hyjnë në Shqipëri.



