Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu për përplasjen mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, situatë që ka sjellë anulimin dhe shtyrjen e një sërë seancash gjyqësore.
Meta e cilëson situatën si një “konflikt absurd”, duke thënë se ajo ishte paralajmëruar që në fund të korrikut dhe duhej të ishte parandaluar përmes dialogut dhe ndërhyrjes së institucioneve.
Sipas Metës, përplasja ka sjellë jo vetëm humbje financiare për shtetin dhe palët në procese, por edhe zvarritje të gjykimeve, duke prekur të drejtën për një proces të rregullt ligjor.
Ai shprehet gjithashtu se avokatët janë vendosur nën presion të dyfishtë, si nga GJKKO e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
“Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm”, shkruan Meta, duke theksuar se e drejta për mbrojtje me avokat është një nga elementët që dallon shtetin e së drejtës.
Në reagimin e tij, kreu i Partisë së Lirisë e lidh situatën edhe me politikën, duke pretenduar se konflikti “i shërben vetëm lojërave politike” dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia dhe sistemi gjyqësor.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
“Konflikti absurd midis GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka sjellë anulimin dhe shtyrjen e gjykimit për dhjetëra çështje vetëm pranë GJKKO të Shkallës së Parë.
Kjo situatë absurde e paralajmëruar që në fund të korrikut duhej të ishte parandaluar me kohë si përmes dialogut, por edhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë.
Përveç humbjeve të konsiderueshme financiare të shtetit dhe palëve të interesuara, ka sjellë edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore, që është element i gjykimit të drejtë dhe të rregullt.
Vendosja e avokatëve në një presion të dyfishtë si nga GJKKO Shkallë e Parë edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cënon jo vetëm të drejtat e tyre, por drejtpërdrejt të drejtat thelbësore të qytetarëve të përfshirë në proceset penale.
Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm.
Edhe në diktaturë ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, por demokracia dhe shteti i së drejtës, dallon ndër të tjera nga diktatura se siguron të drejtën e mbrojtjes me avokat.
Ky konflikt i stisur dhe arbitraritet i shërben vetëm lojërave politike dhe minon besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor.”



