Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm vijon të jetë i bllokuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa kërkesat për përjashtimin e anëtarëve nga procedura kanë zgjatur prej javësh.
Pas shtatë mbledhjeve plenare të zhvilluara që prej 28 gushtit, KLP ende nuk ka nisur shqyrtimin e dy kërkesave të kandidatëve për përjashtimin e dy anëtarëve të Këshillit nga gara. Situata ka ngritur shqetësim edhe te Shoqata e Prokurorëve, e cila i ka kërkuar KLP-së të kapërcejë ngërçin dhe të vijojë procedurën.
Ngërçi nisi pas kërkesës së kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vatë Staka, me pretendimin se ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit. Pas kësaj, edhe vetë anëtarët e Këshillit nisën të paraqesin kërkesa për përjashtimin e njëri-tjetrit, duke sjellë në disa mbledhje pamundësi për krijimin e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje.
Në mbledhjen e 2 tetorit, KLP miratoi me shumicë kërkesën e Vatë Stakës për përjashtimin e Zeqir Hodës nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt, si edhe nga procedura e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.
Por dy kërkesa të tjera mbeten ende për t’u shqyrtuar. Pjetërnikaj kërkon përjashtimin e Vatë Stakës, ndërsa kandidatja Arta Marku ka kërkuar përjashtimin e anëtarit Sokol Stojani. KLP ka njoftuar se mbledhja e radhës ku pritet të shqyrtohen këto kërkesa do të zhvillohet më 7 tetor.
Shoqata e Prokurorëve: Ngërçi nuk duhet të paralizojë KLP-në
Situata ka sjellë reagimin e Shoqatës së Prokurorëve, e cila e konsideron shqetësuese zvarritjen e procedurës.
Shoqata vlerëson se kërkesat për përjashtim duhet të shqyrtohen me seriozitet, pasi paanshmëria është një element i rëndësishëm për besueshmërinë e procesit. Në të njëjtën kohë, sipas saj, kjo garanci procedurale nuk duhet të kthehet në një varg kërkesash të ndërsjella që paralizojnë vendimmarrjen e KLP-së.
Sipas Shoqatës, tejkalimi i afateve dhe bllokimi i procedurës cenojnë rregullsinë dhe besueshmërinë e procesit të përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.
“Pa paragjykuar themelin e kërkesave, zgjatja e këtij ngërçi dëmton autoritetin e KLP-së, funksionimin normal të sistemit prokurorial, si dhe besimin e opinionit publik te sistemi i drejtësisë në tërësi”, shprehet Shoqata e Prokurorëve.
Afatet janë tejkaluar
Zvarritja e procedurës ka prekur edhe fazën e verifikimit të kandidatëve. Në mbledhjen e 18 shtatorit, KLP vendosi që administrata t’i përcillte ILDKPKI-së deklaratat e pasurisë së pesë kandidatëve për verifikim, edhe pse afati i parashikuar për këtë fazë ishte tejkaluar.
Në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm janë prokurori i SPAK, Adnan Xholi, ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, prokurorja pranë Eurojust, Fatjona Memçaj; prokurorja e Tiranës, Rovena Zoto dhe prokurori Ylli Pjetërnikaj. KLP duhet të përzgjedhë tre kandidatë për t’ia dërguar më pas Kuvendit.
Mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon më 5 dhjetor. Sipas Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi me tre të pestat e të gjithë anëtarëve, mes tre kandidatëve të propozuar nga KLP, për një mandat shtatëvjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.
Me afrimin e përfundimit të mandatit të Çelës, KLP-së i mbetet tashmë të zgjidhë kërkesat për përjashtim dhe të rifusë në lëvizje procedurën për përzgjedhjen e tre kandidatëve që do t’i dërgohen Kuvendit.



